“Boll më se u teprua, dua një teatër të ri”, Bujar Asqeriu sqaron qëndrimin e tij

Aktori i njohur, Bujar Asqeriu, tha dje se nuk është për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, edhe pse është për një teatër të ri.

I kontaktuar nga “Panorama”, Asqeriu, i cili ndodhej me pushime, tha se Kryeministri ka marrë dhe ka bërë status të tij fraza të shkëputura të para më shumë se një viti, por që në atë kohë e anatemoi rëndë.

“Ky ka qenë një qëndrim i kahershëm imi, publik, para mediave dhe publikut, ndërsa Kryeministri kap fraza të shkëputura të miat dhe i lidh. Unë kam kërkuar që me çështjen e Teatrit të merren arkitektët.

Asnjëherë nuk e kam përmendur fjalën shembje, kam thënë që të flasin arkitektët. Këto qëndrime unë i kam mbajtur që para një viti e gjysmë, por atëherë më shikonin si armik të gjithë, madje Kryeministri, në atë kohë, më anatemoi”, u shpreh dje Asqeriu.

Ai u bën thirrje dhe aktorëve të tjerë që për teatrin të bëjnë betejë vetëm artistët, duke e lënë larg politikën.

“Devizën time unë e kam thënë: larg politikës. Aktorët shkojnë dhe nënshkruajnë në skenë me kryetarin e opozitës, unë nuk jam për këtë. Teatri është i detashmentit të aktorëve dhe artistëve dhe këtë e kam thënë që në fillim. Por vetëm studentët e përqafuan parullën time kur protestuan me devizën: Larg politika!

Vetëm ata më kuptuan mua. Unë e kam thënë që ne jemi historikisht në opozitë me shtetin. Beteja jonë është me shtetin. Kujt i thua?! Ata duan të bëjnë karrierë politike dhe administrative, le të bëjnë, punë e tyre. Unë jam artist dhe qëndroj në këto pozicione”, u shpreh Asqeriu.