1. Përqafoni si traditën, edhe progresin
Ashtu siç tha Mbreti i Ri, Charles III, në fjalimin e tij të parë si Sovran pas vdekjes së saj, “në jetën e saj në shërbim, pamë dashurinë e vazhdueshme për traditën, së bashku me përqafimin e guximshëm të progresit, që na bëjnë të mëdhenj si komb”.
Ai po i bënte jehonë fjalimit të parë në Krishtlindje, të nënës së tij si mbretëreshë në vitin 1952, kur ajo tha:
“Të gjithë ne hasim shumë probleme të rënda dhe vështirësi, por me një besim të ri në bindjet e vjetra dhe të mrekullueshme që na trashëguan paraardhësit tanë, dhe forcën për të shkuar përtej sigurive të së shkuarës, e di që do të jemi të denjë për detyrën tonë”.
Ajo mishëroi atë forcë.
2. Martohuni me dikë që ju mbështet me të vërtetë, në të mirë e në të keq
Elizabeth dhe Phillip kishin një marrëdhënie unike. Ishte pikërisht Phillip që i dha lajmin e vdekjes së të atit dhe ngritjen e saj në fron kur ata ishin me pushime në Kenia në vitin 1952.
Princi Phillip pranoi rolin e tij dhe u bë mbështetja e saj, siç ka thënë ajo. Gjatë 73 viteve të martesës, edhe ai pati momentet e tij të vështira në zgjedhje, por ata e mbështetën me vendosmëri njëri-tjetrin dhe i kapërcyen ato.
3. “Shihni më të mirën te njerëzit”
Mbreti Charles III, në fjalimin e tij të parë si Sovran tha se “dashuria, admirimi dhe respekti që ajo frymëzoi u bënë shenjë dalluese e mbretërimit të saj.
Çdo pjesëtar i familjes sime mund të dëshmojë, se ajo i ndërthurte këto cilësi me ngrohtësinë, humorin dhe aftësinë e pagabueshme për të parë gjithnjë më të mirën te njerëzit”. Kjo shihej në fytyrën e saj rrezatuese dhe në atë shkëlqim në sytë e saj.
4. Jini të gatshëm të dilni jashtë protokollit dhe normave kur ato nuk ju shërbejnë
Mbretëresha Elizabeth pa lindjen e televizionit, telefonit, kompjuterit, avionit e natyrisht internetit dhe në fund i përqafoi të gjitha. Ajo e zbuloi ngadalë por me siguri edhe familjen mbretërore si njerëz, ndonjëherë disi në siklet dhe me rezistencë, por e bëri, dhe kjo u shërben atyre edhe sot e kësaj dite.
Momenti më prekës, që sot kujtojmë në 21-vjetorin e sulmeve terroriste në SHBA, më 11 shtator 2001, është kur Mbretëresha “theu traditën shekullore, duke urdhëruar trupat e Gardës së Coldstream të luanin himnin kombëtar amerikan “The Star-Spangled Banner”, gjatë ndryshmit të rojës në Pallatin Buckingham siç e përshkroi Newseeek, më 13 shtator 2001, në solidaritet.
5. Stili juaj është pjesë e markës suaj
Veshjet dhe kapelat e saj glamour (elegante), por të thjeshta e me ngjyra të gjalla, këpucët dhe karficat u bënë nënshkrimi i saj, një pjesë e rëndësishme e markës së saj.
6. “Soft power” është shumë i fuqishëm
Gjithë historitë që kemi dëgjuar, flasin për mënyrën se si i trajtonte gjithë njerëzit me dinjitet, ngrohtësi dhe respekt, edhe ata me të cilët nuk binte dakord. Ajo përdori aftësitë e saj të të dëgjuarit dhe komunikimit, si dhe njohuritë e gjera të dinamikave globale dhe politike, atë që diplomatët e quajnë “soft power” – për të ndikuar te vendimet që ajo nuk mund të merrte.
Grave u është dashur të përsosin aftësinë e ndikimit në drejtim, pasi gjatë historisë nuk e kanë pasur autoritetin dhe fuqinë për të marrë vendime.
Sot, në shekullin XXI, këto aftësi janë jashtëzakonisht të nevojshme për udhëheqësit. Mbretëresha Elizabeth II e përdori fuqinë e saj me doreza mëndafshi.
7. Mos ndalni deri sa të dilni nga skena
Foto ku ajo shfaqet me shkëlqimin karakteristik në sy ndërkohë që i shtrëngon dorën Kryeministres së Britanisë së Madhe – gruaja e tretë në këtë rol në historinë e Commonwealth – vetëm dy ditë para vdekjes, tregon se sa e vendosur ishte për të shërbyer deri në momentin e fundit që do të mundte.
Pra, nëse marrim në konsideratë një ndryshim në punë apo karrierë, është e rëndësishme të bëjmë më të mirën në rolet aktuale deri sa të largohemi.
Prehuni në paqe, Madhëria Juaj. Faleminderit për thuajse një shekull në shërbim të botës, jo vetëm Mbretërisë së Bashkuar dhe që ishit një model udhëheqje (gruaje) i jashtëzakonshëm, frymëzues dhe i pashembullt.
Forbes/Monitor/