Fundi i muajit tetor dhe nëntor do të jetë prova e zjarit për situatën pandemike në vendin tonë, por kurrsesi nuk do të jetë vjeshta e viti të kaluar. Këtë përgjigje dha në studion e “Dita Jonë” mjeku Ilir Alimehmeti kur u pyet nëse ka ardhur fundi i pandemisë. Sipas tij, incidenca në vendin tonë është shumë e ulët në krahasim me vendet fqinje 5.9 për 100 mijë banorë.
Vjet thamë në qershor që jemi në një rrafshnaltë dhe nuk e dinim se çfarë na priste. Tani jemi në fundin e një lugine. Incidenca 5.9 për 100 mijë banorë, Greqia e ka 226 për 100 mijë banorë. Jemi shtet i vogël dhe ai respektimi i masave nuk është perfekt dhe përqindja e atyre që janë infektuar ka qenë më e lartë se në këto shtete. Edhe këto shtete janë në rënie. Vera bën të vetën, vaksinimi, megjithëse është në nivele të ulëta në të gjithë botën, kryesore është imunizimi natyror”.
Mjeku Alimehmeti pohon një valë tjetër të koronavirusit në vjeshtë, por përjashton një situatë pandemike të ngjashme me vitin e kaluar. Sipas tij, gjithçka do të varet edhe me procesin e vaksinimit.
“Do të ketë një valë sezonale tjetër, por duhet parë si do të ecë vaksinimi dhe a do të ketë ndonjë variant që kapërcen efikasitetin. Shtatori-tetori do jetë mirë, kurse tetor-nëntor do të jetë prova e zjarrit. Do të ketë rritje dhe sa e madhe do të jetë? Do të ketë raste, por nuk do të jetë kurrë vjeshta e kaluar. Megjithëse ai që nuk e ka kaluar apo nuk është imunizuar duhet të respektojë masat dhe të tregojë kujdes”.
Ai e cilëson shqetësues variantin indian Delta dhe shprehet se nuk kapërcen imunitetin natyror dhe atë të imunizimit të plotë të vaksinave, por i shpëton goxha fort kur ke vetëm një dozë të Pfizer.
“Është shqetësues varianti indian, delta. Varianti indian ka 3 viruse të njohura. Ky duket se po dominon dhe variantin britanik, megjithëse transmetueshmëria është pak më e ulët se ai britanik, nuk kemi diskutim mbi faktin që të jetë më i rëndë, nuk kapërcen imunitetin natyror dhe atë të imunizimit të plotë të vaksinave, por i shpëton goxha fort kur ke vetëm një dozë të Pfizer. Kjo u testua. Ka përfitime, ka dhe humbje. Kjo duhet riparë”.
Për mjekun Alimehmeti, alarmi nga OBSH-ja duhet dhënë më herët dhe duheshin bërë testet pasi ka shumë asimptomatikë. Sa i takon origjinës së viruait, ai pohon që një studim i 2016 e parashikonte një virus të tillë, por duheshin marrë masa.
“Nëse alarmi do të jepej herët nga OBSH-ja dhe do pranohej herët që shumë asimptomatikë shpërndajnë sëmundjen, duheshin testet. Këto kanë qenë ngërçe. Kur kemi 3 të sëmurë pyetja është a kishim asimptomatikë, kjo ka të bëjë me origjinën dhe shpërthimin. Mbi origjinën duket që nuk ka dyshime që të jetë me origjinë natyrore. Do të jetë pikasur që në 2016, se lakuriqët e natës riprodhohen dhe riprodhojnë dhe kanë mundësi të lëvizin gjeografikisht. Është një element natyror, por si ka shpërthyer kjo është çështje tjetër. Kjo mund të jetë çarje e sigurisë laboratorike, që ia vlen të diskutohet. Duhet parë që ku ndodhi ngërçi dhe çfarë nuk funksionoi që ta rregullosh. Shpërthimi është diçka tjetër”.
I pyetur në lidhje me të vaksinuarit që rezultojnë pa antitrupa pas marrjes së dozës së vaksinës, Alimehmeti thekson se do të ketë njerëz që nuk japin përgjigje imunitare. Sipas tij, kur të arrihet imunizimi i të gjithë njerëzve nuk do ketë probleme.
“Ne kur themi rezultatin e një vaksine themi një mesatare dhe fatkeqësisht do të ketë edhe njerëz që nuk japin përgjigje imunitare. Kjo është arsyeja që duhet të vaksinohen sa më shumë. Por duhet parë edhe laboratori dhe a është bërë analiza e duhur. Ka shumë elemente që duhet të shohim. Kur antitrupat i ke zero do të kesh kujdesin tënd. Do ketë njerëz që vaksinat nuk do t’i bëjnë efekt për problem të njërit apo tjetrit apo të dy, por kur të jenë të gjithë të imunizuar nuk ka problem”.