Zyrtarët shëndetësorë në Angli po monitorojnë nga afër një pasardhës të ri të variantit Delta të Covid, i cili po shkakton një numër në rritje të infeksioneve. Delta është varianti mbizotërues në Mbretërinë e Bashkuar, por të dhënat zyrtare të fundit sugjerojnë se 6% e rasteve të Covid janë të një lloji të ri. Varianti njihet si “AY.4.2”, ndërsa disa e quajnë edhe “Delta Plus”. Sipas ekspertëve, ky variant përmban mutacione që mund t’i japin avantazhe mbijetesës së virusit.
Ndërkohë po kryhen teste për të kuptuar se sa i rrezikshëm është ky variant, ndonësr ende nuk konsiderohet një variant shqetësues. Po çfarë është AY.4.2? Ka mijëra lloje të ndryshme, ose variante të Covid që qarkullojnë në të gjithë botën. Viruset pësojnë mutacion gjatë gjithë kohës, kështu që nuk është për t’u habitur të shohim daljen e versioneve të reja.
Varianti Delta origjinal, u klasifikua si një variant shqetësues në MB në maj 2021 pas variantit Alpha për t’u bërë lloji mbizotërues i Covid në qarkullim. Kjo degë ose nënlinjë e Delta është rritur ngadalë që atëherë. Ai përfshin disa mutacione të reja që virusi i përdor për të depërtuar në qelizat tona. Deri më tani, nuk ka asnjë indikacion se është shumë më i transmetueshëm si rezultat i këtyre ndryshimeve, por është diçka që ekspertët po studiojnë.
Burimi: BBC | Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania