Kontributi për t’i ardhur në ndihmë Xheisonit dhe familjes së tij ka nisur që nga java e kaluar. Vetëm në një javë, llogaria ka kaluar më shumë se 15 mijë euro dhe çdo ditë kjo shifër rritet me vlera të mëdha e të vogla. Sonte, sapo nisi nata e 12-të e spektaklit, Alketa ftoi Arbër Hajdarin, themeluesin e “Fundjavës Ndryshe”, për të dhënë një lajm shumë të bukur në nisje të kësaj nate.
Duke theksuar edhe një herë tjetër mbështetjen e kësaj nisme, Hajdari tha se falënderon të gjithë ata që kanë kontribuuar për të ndihmuar Xheisonin dhe familjen e tij: “Shtëpia e Xheisonit është gjetur. Është një shtëpi shumë e mirë, e madhe, në zonën e Freskut në Tiranë. Së shpejti, do ta sjellim Xheisonin në Tiranë…” ,– tha Arbri i emocionuar pas këtij lajmi.
Ai shtoi më tej se për “Fundjavën Ndryshe”, kjo është shtëpia e 253-të që po ndërtohet për familjet në nevojë.
Duke falënderuar për mbështetjen, Alketa tha se e kanë emocionuar gjatë kësaj jave të gjithë ata që kanë kontribuuar për Xheisonin e vogël, por sidomos ata studentë që kanë dhënë nga 2 apo nga 5 dollarë: “Më kanë emocionuar të gjithë studentët, ata që kanë dhuruar 2 dollarë, 5 dollarë… Xheisoni është Piter Pani më i spikatur i këtij viti dhe këtë, të gjithë ju e keni konfirmuar përmes mesazheve tuaja…” – tha Alketa duke rikujtuar edhe një herë numrat e llogarisë në të cilat mund të dhuroni ndihmën tuaj për Xheisonin.