Në Berat është zbuluar një rast i mashtrimit me vaj ulliri bio, ku janë përfshirë baba e bir.
Një 56-vjeçar është arrestuar për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mashtrim me produktet ushqimore”, ndërsa i biri 29-vjeçar është shpallur në kërkim. Të dy dyshohen se reklamonin vajin e përzier si bio në rrjetet sociale.
Sipas Prokurorisë, banesa e tyre ishte kthyer në ambient për përzierjen e vajrave të ndryshëm me substanca të panjohura, të cilat më pas i shisnin si vaj ulliri bio.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi rreth 3000 litra lëndë vajore të papërcaktuar, 1000 litra vaj kikiriku, një laptop dhe një printer që përdorej për printimin e etiketave.
Po ashtu, u konfiskuan 2.9 milionë lekë dhe 1800 euro, të cilat dyshohen se janë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.