Bluzat e bardha shprehin pakënaqësinë për mënyrën se si janë trajtuar kolegët e tyre nga Policia e Shtetit.
“Kolegu ynë është marrë direkt pas operacionit dhe është shoqëruar. Nuk ka aspak problem, është e drejta e ligjzbatuesve që ta bëjnë këtë gjë. Por, të ishte trajtuar në mënyrë më njerëzore. Nuk e di se ku ndahet korrupsioni nga shpërblimi. Nuk di që në këto vite një mjek në Shqipëri të mos ketë pranuar një dhuratë, të dhënë me kënaqësi. Unë vetë kam dhënë dhuratë ndaj kolegëve që më kanë trajtuar familjarët”, thotë një doktor për A2.
Mjeku Jorgo Marga duhet të kishte dalë në pension 3 vite më parë, por vijon të punojë. Edhe për të, mënyra e trajtimit të bluzave të bardha nuk është korrekte: “Nuk e ndjej veten të lodhur dhe nevojë kanë. Por, këtu është paradoksi: dhe kanë nevojë, dhe ndodhin këto lloj gjërash. Nuk është mirë të kërkosh shpërblim për atë çfarë bën, por është tjetër çështje kur njerëzit të japin diçka si shpërblim për mirësjellje, jashtë kanaleve të korrupsionit.
Për të shmangur çdo situate të tillë, mjekët sugjerojnë një metodë ndryshe të shpërblimeve nga familjarët e pacientëve: “Këto lekë që sot jepen nëpër xhepa, në shkallë dhe pas peme, duke ulur dinjitetin e doktorit, të jepen te recepsioni dhe prapë të shkojnë te xhepi i doktorit. Jo më nën dorë, por në recepsion. U zgjidh korrupsioni”.
Mjekët kanë njoftuar se do të mbajnë në heshtje të tjera protesta ditë pas dite, deri në momentin që Gjykata do të shprehë vendimin për kolegët e tyre.