Xhensila Myrtezaj ka qenë e ftuar pasditen e sotme në emsionin “Rudina” ku tregoi planet e saj në lidhje me familjen.
E vogla e shtëpisë, Ajka feston dhe pak ditë 3-vjetorin e lindjes, ndaj dhe këngëtarja dhe Besi kanë shumë dëshirë që t’i dhurojnë asaj një motër apo një vëlla.
“Që do shtohet, sigurisht, por ende nuk kemi ndonjë plan. Kurdo që të vijë, është i mirëpritur…”,– iu përgjigj Xhensila pyetjes së Rudina Magjistarit.
Por në lidhje me gjininë e fëmijës, aktori dhe këngëtarja janë të ndarë në këtë drejtim. Besi është tipik shqiptar dhe do një djalë shok për vete, ndërsa Xhensila do të kishte më shumë në qejf një motër dhe shoqe për Ajkën.
“Besi këtu është tipik shqiptar, ai do djalë, ndërsa unë dua që Ajka të ketë një motër, sepse kam parasysh edhe lidhjen që kam unë me motrën…”
Para pak ditësh, këngëtarja ka qenë e ftuar gjithashtu dhe në emisionin “E ardhmja është vajzë”, në të cilin u rrëfye për muzikën dhe jetën e saj si nënë e një vajze. Ajo tregoi për periudhën e vështirë që ka kaluar gjatë pandemisë, duke zbuluar për herë të parë se kishte kaluar Covid-19 bashkë me vajzën. Ndër të tjera ajo tha se kishte përjetuar një moment mjaft të vështirë pasi ishte shëruar nga virusi. Ndërsa po kthehej në Tiranë, këngëtarja tregoi se kishte pësuar një atak paniku.
“Ndjeva një goditje shumë të fortë në kraharor, vajzën e kisha pas dhe shtrëngova Besin për një moment. E vetmja gjë që mendova ishte se ‘kaq ishte për mua’. Filluan të dridhura të pakontrolluara, oksigjeni iku pothuajse komplet. Jam një person që bëj jetë të shëndetshme dhe nuk kam patur kurrë probleme me shëndetin. U gjeta përballë një fakti që s’e kisha përjetuar kurrë. E vetmja që më erdhi ndërmend thashë: ‘Zot pse pikërisht tani që kam vajzën afër’, sepse është aq e rritur për të kuptuar se çfarë po ndodh përreth”, tha ajo.
Xhensila tregoi se mjekët i kishin shpjeguar se kjo kishte ndodhur si pasojë e gjendjes emocionale që kishte përjetuar gjatë pandemisë.
“Falë zotit ishin shumë afër Tiranës edhe shkuam në spital. Të dridhurat vazhdonin dhe i lutesha Zotit më lër ta jetoj vajzën dhe Besin, të mos më humbasë mami mua. Dhe ka qenë moment shumë i vështirë se fiks në ato momente nuk po mendoja veten, por njerëzit që më duan shumë. Pas analizave, isha shkëlqyeshëm dhe kardiologu më se ishte atak paniku. Nuk kisha dëgjuar kurrë dhe kjo lidhej me gjendjen psikologjike dhe ndoshta frikërat që kam patur gjatë Covidit. Shpërthyen në atë moment që nuk e prisja aspak”, u shpreh artistja.