Zbulohet se për herë të parë dokumentet për CNN online, të cilat tregojnë një reagim kaotik që prej fillimit te kesaj historie.
CNN i ka verifikuar ato, me ekspertë, këshilltarë të sigurisë në Europë e duke përdorur analizat digjitale.
Dokumentet ofrojnë zbulime të rëndësishme lidhur me rajonin e Hubeit, ku gjendet qyteti i Wuhanit. Fillimisht, vdekjet jo gjithmonë raportoheshin me saktësi. Më 17 shkurt, 196 persona humbën jetën sipas dokumenteve, por në raportimin zyrtar u fol për 93 viktima. E njëjta gjë duket të ketë ndodhur edhe me numrin e të infektuarve. Informacionet e brendshme sugjerojnë se në një ditë, gjatë shkurtit kishte pasur 6 mijë raste të reja, të gjitha serioze, por publikisht Kina konfirmoi vetëm 2500 të tilla.
“Nëse Kina do të kishte qenë më transparente dhe më agresive në reagimin e saj, kjo do të kishte pasur impakt në përhapjen e virusit, edhe në pjesën tjetër të botës. Gjithashtu, autoriteteve u ishte dashur më shumë se tri javë për diagnostikimin e rasteve në fillimet e pandemisë. Ndoshta, zbulimi më i rëndësishëm i përket fillimit të dhjetorit, momenti kur Covid-19 u shfaq fillimisht në Kinë”, thotë Dali Yang, profesor i Shkencave Politike, Çikago.
Dokumentet zbulojnë se pati një rritje të madhe të rasteve të gripit në Hubei, pikërisht atëherë kur mendohet që personat e parë të jenë prekur me Covid-19. Kishte 20 herë më shumë raste gripi se normalisht.
Ekspertët thonë se spitalet mund të jenë mbushur me pacientë që kishin simptoma të ngjashme me gripin, duke e bërë të vështirë evidentimin e rasteve të para me Covid-19. Dokumentet nuk tregojnë lidhje të rasteve me koronavirusin në mënyrë direkte, por pacientët u nënshtroheshin rregullisht ekzaminimeve imazherike. Dokumentet treguan, gjithashtu, se epidemia e gripit ishte më e përhapur gjatë javës së parë të dhjetorit jo në Wuhan, por në dy qytete të tjera të afërta.