Kryeministri Edi Rama ka mbërritur pasditen e sotme në Beograd, në kuadër të nismës “Open Balkans”.
Udhëtimin e Ramës duket se nuk e ka favorizuar moti, ndërsa kryeministri shqiptar është shfaqur në aeroportin “Nikola Tesla” duke mbajtur çadër, pasi zbriti nga aeroplani i “Air Albania”.
Por detaji që bie në sy është shkrimi në çadrën e Ramës. Aty lexohet emri i kompanisë farmaceutike “Farma Net Albania”, dhe mesa duket kjo është një prej çadrave të shumta të prodhuara për llogari të kompanisë, por mbetet e paqartë se si ka përfunduar në duart e Ramës.
Në fakt, kompania “Farma Net Albania” nuk është e panjohur për publikun. Pronari i saj, biznesmeni Sokol Topçiu është aktualisht nën masën “arrest shtëpie” pasi dyshohet se ka përfituar miliona lekë gjatë pandemisë, duke i shitur shqiptarëve ilaçe kontrabandë për Covid-19, të cilat i blente me rreth 20 dollarë dhe i shiste deri në 500 dollarë.
Por Topçiu i “Farma Net Albania” ka marrë miliona euro tendera nga qeveria, pasi gjatë pandemisë ka fituar disa tendera për furnizimin me maska anti-covid, doreza dhe dezinfektantë të instuticioneve shqiptare.
E mesa duket, për këtë “bujrari” nuk përjashtohet mundësia që Topçiu t’u ketë çuar institucioneve shqiptare edhe ndonjë çadër dhuratë me logon e firmës së tij, një prej të cilave i ka hyrë sot në punë kryeministrit Rama.