Dy vite pas divorcit, një Romeo hyn në jetën e Jonida Maliqit. Aktori i humorit jep shenjën e parë për lidhjen e përfolur

Dy vite pas divorcit nga partneri, prej 17 vitesh lidhjeje, Gent Prizreni, këngëtarja e njohur Jonida Maliqi po komentohet për nisjen e një romance të re me aktorin e “Al Pazar”, Romeo Veshaj. Thashethemet për fillimin e lidhjes së re nisën gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar, periudha kur mediat u pushtuan nga lajmet për çiftin më të ri të showbizz-it.

Gjithçka nisi kur Romeo kishte postuar një foto me një vajzë misterioze me flokë të zeza, për të cilën mediat aluduan se ajo vajza ishte pikërisht këngëtarja e famshme, Jonida Maliqi. Më pas, portalet u përpoqën të vërtetonin këtë fakt, duke gjetur lidhjen e ambienteve të njëjta të postimeve që bënin në profilet e tyre në “Instagram”, si Jonida ashtu dhe Romeo.

Gjatë këtyre muajve, ata nuk e mohuan thashethemnajën, por as folën publikisht për marrëdhënien e tyre, duke e lënë evazive, si misteri që do zbardhet me kohën. Ndërkohë që miq të tyre të afërt kanë thënë për “Panorama Plus” se ata kalojnë shumë kohë bashkë në jetën e përditshme, duke mos përjashtuar faktin që fotografët e kapën Romeon në Pallatin e Kongreseve, për të festuar fitoren e Jonidës në Festivalin e RTSH-së me këngën “Ktheju tokës”.

Ishte pikërisht kjo fitore që i dha mundësinë Jonidës të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian, kur ajo të enjten arriti të kualifikohet në finalen që pritet të mbahet sot në mbrëmje në Tel Aviv. Direkt pas kualifikimit, Romeo postoi një foto të Jonidës si finaliste, tashmë me diçiturën “Grushti i parë, shihemi të shtunën!”. Ky ishte postimi i dytë që dëshmon mbështetjen hapur të tij që i bën Jonidës, pas atij disa orë para konkurrimit në natën e dytë gjysmëfinale.

Romeo postoi një video të Jonida Maliqit në Eurovizion, të shoqëruar me statusin: “Data 16 maj erdhi! Për të gjithë ju që ndodheni jashtë trojeve tona, erdhi momenti të tregojmë sa shqiptarë jemi! Votoni tokën tuaj, votoni 14- tën, votoni Jonida Maliqi!”, shkruante ai, duke e shoqëruar me hashtag titullin e këngës “Ktheju tokës” dhe emrin Jonida Maliqi, përfaqësueses së Shqipërisë në Eurovizion.

Nuk vonuan komentet që nënkuptonin se tashmë Romeo ishte ai që sapo hodhi hapin e parë drejt konfirmimit të thashethemit që qarkullon në rrethin e artistëve, se mes tyre ekziston një marrëdhënie speciale përtej miqësisë. Nuk dihet se ku janë njohur, por ndoshta frekuentimi i të njëjtave ambiente si artistë i ka afruar me njëri-tjetrin. Romeo njihet si Montana i “Al Pazar” bashkë me vëllain Donald Veshaj në rolin e Montelës. Vitin e kaluar, mediat shkruanin se ai dhe vëllai, përveç punës në televizion, prej vitesh investonin paralelisht në një biznes, një bar në qendër të Tiranës.

TAKTIKAT E ROMEO VESHAJT PËR TË BËRË PËR VETE FEMRËN QË DO: DI TA SHOH DHE KAM GUXIM T’I FLAS!

Romeo Veshaj hyri i vetëm në botën e spektaklit, por u bë edhe më i suksesshëm kur atij iu bashkua vëllai binjak, Donaldi. Vëllezërit e talentuar nga Vlora, që njihen si “Montana dhe Montela”, janë sot dy nga humoristët më të veçantë edhe në mediat sociale, pasi bien në sy edhe për stilin që kanë. Po kush është Romeo Veshaj jashtë skenës së “Al Pazar”?

Në një intervistë për “Iconstyle.al”, djali që e ka konsideruar veten paksa të vonuar si student në degën Regji Teatri në Universitetin e Arteve, rrëfeu pse provoi t’i hynte muzikës me një këngë dedikuar femrave. Nuk dihet nëse Universiteti i Arteve është dhe ambienti ku ai mund të jetë njohur me Jonidën, e cila po ashtu ka punuar si pedagoge, krahas karrierës artistike.

Pyetjes “Kujt ia dedikoni këngën ‘Në të SMS’? Mendoni se ka shumë femra të dhëna pas luksit në Shqipëri?”, ai i përgjigjej: ”Menduam të përqendroheshim te femrat në përgjithësi. Nuk është dedikim, nuk është personale, por besoj se të gjithë çunat e kanë hasur një gocë të tillë. Çdo mashkull në moshën time e ka hasur dhe ndoshta e gjen veten tek kjo këngë. Sa u përket femrave, mendoj se çdonjëra është pak materialiste, për mirë apo keq. Ka dhe meshkuj që shpenzojnë shumë lekë për femrat dhe e kanë psikologjike. Unë vetë nuk e kam menduar ndonjëherë pjesën që do të marr një makinë të bukur për një femër. Unë mund të marr një makinë të bukur për vete, për ta shijuar me shoqërinë. Më ul komplet pikët mua si mashkull dhe i merr makina” (qesh).

Pika e tij e fortë për të bërë për vete femrat? “Mendoj se është guximi dhe shikimi. Shikimi është 60 për qind i punës dhe guximi është 20 për qind, 5 për qind mbetet çfarë do flasësh”. Po nëse partnerja kërkon që ta bëjë lidhjen publike, si vepron ai? “Kjo është jeta ime dhe unë bëj ç’të dua. Nëse një femër më thotë pse s’më bën publike, këtu ka një problem. Unë në këtë rast nuk do ta bëja më shumë publike. Edhe çdo gjë do t’ia lë kohës!” Por nëse Jonida njihet tashmë si perfeksionistja që duket sikur sapo ka dalë nga kutia, po Romeo a ka të njëjtin fiksim për pamjen? “Unë dhe vëllai kemi luajtur futboll, vëllai ka qenë sulmues, unë portier. Unë kam gjithë jetën që merrem me sport, stërvitje noti, basketboll, sporti është i pandashëm në jetën time. Unë jam i sëmurë për paraqitjen. Mendoj se një njeri që nuk ka edukatë për trupin e vet, nuk ka edukatë për asgjë. Nëse nuk e do veten nuk e do tjetrin, sporti është shumë i rëndësishëm. Sa për veshjen marr këshilla nga vëllai Donaldi se çfarë më shkon, ashtu siç ai merr për artin skenik nga unë”, përfundon rrëfimi i tij.

Le të shohim, nëse pas kthimit të Jonidës nga Tel Aviv, ata do të hedhin një hap të mundshëm për zbardhjen e misterit të marrëdhënies së tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *