Fëmijët e pabindur, teknika 1:3 për t’u mësuar disiplinën

Tre lëvdata për të nxjerrë në pah arritjet dhe 1 qortim për të evidentuar të metat dhe kjo e fundit, mundësisht e shprehur në terma përmirësimi…

Nga Sonila Prroni, Psikologe

Dëshira për të qënë i lumtur dhe i përmbushur, ka mbetur po njëlloj në mendjen dhe zemrën njerëzore, prej vitesh e shekujsh jetesë në cdo shoqëri.

Qoftë në pritshmëritë tona individuale, qoftë në ato kolektive, nevoja për të qënë të sigurt, duket sikur garanton në thelb edhe gjëndjen e lumturisë.

Megjithatë ajo që na shqetëson ne më shumë, është mirëqëia e fëmijëve tanë.

Çështja që unë jam angazhuar të trajtoj, është sesi prindërit mund të kuptojnë më mirë nga buron pasiguria e fëmijëve dhe si mund të gjejmë mënyra për t’i bërë ata të ndjehen të kënaqur dhe të lumtur.

Së pari, duhet të kuptojmë se pasiguria dëmton seriozisht mirëqenien psikologjike të fëmijëve dhe vret optimizmin për të ardhmen.

Duke qënë se jemi një shoqëri që kemi përfituar një stil krejtësisht të ri jetese dhe deri diku jemi duke ecur me ritmet e vendeve të zhvilluara, po vërejmë se më shumë se kurrë po rrisim fëmijë të pasigurt dhe të palumtur.

Nga një eksperiencë e gjatë këshillimi në shkolla, kam vëzhguar disa aspekte psikologjike nga ku buron pasiguria tek fëmijët dhe mënyrave sesi ajo bëhet pengesë për të ta për të qënë të lumtur.

Këtë gjendje psiko-emocionale e shprehin në forma të pashëndetshme, duke u bërë problem për veten dhe familjen. Më poshtë po rendis disa nga pikëvështrimet e mia kryesore.

Ata shpesh ndjehen të pasigurt në lidhje me dashurinë e prindërve, duke e keqkuptuar disiplinën me ndjenjën e afeksionit.

Kjo ndodh për arsyen se prindërit mund të kenë një qëndrim edukativ shumë kritik kundrejt tyre, duke kritikuar pa fund.

Prindërit duke pasur kërkesa të larta ndaj fëmijëve dhe duke u fokusuar kryesisht tek pikat e dobëta, pak nga pak krijojnë një hendek komunikimi dhe dëmtojnë cilësinë e ndikimit prindëror duke krijuar kështu edhe një distancë në shprehjen e afeksionit.

Kështu fëmijët zhvillojnë ndjenja pasigurie dhe interpretojnë qëndrimin e tyre kritik si mungesë dashurie.

Një raport (1 me 3) mes teknikave të disiplinës, mund të ishte një zgjedhje më e mirë për parandalimin e kësaj pasigurie.

Tre lëvdata për të nxjerrë në pah arritjet dhe 1 qortim për të evidentuar të metat dhe kjo e fundit, mundësisht e shprehur në terma përmirësimi.

Një tjetër burim pasigurie, vjen dhe nga mungesa e njohjes së potencialit që fëmija zotëron.

Ata nuk njohin siç duan veten dhe mundësitë për zhvillim që kanë, pasi nuk janë lehtësuar në këtë proces nga prindërit apo mjedisi i tyre shoqëroror.

Duke u ndjerë si një enë bosh dhe të pavlerësuar, fillojnë të besojnë se, nuk kanë aftësi për të marrë përsipër angazhimet e moshës apo për të qënë kompetitivë në aktivitet shkollore.

Ndaj prindërit këtë mision kaq të rëndësishëm, duket ta fillojnë qëkur fëmija është i vogël duke treguar më shumë vëmëndje selektive, sidomos gjatë performimit të detyrave apo një pune.

Kështu nxirren drejtpërdrejt cilësitë e tyre dhe ata njohin edhe personalitetin.

Është një fakt i dhimbshëm, kur një adoleshent nuk mund të renditë për veten e tij, më shumë se 2-3 cilësi personale që e karakterizojnë, mos të flasim pastaj për njohje të aftësive, kompetencave apo tipare të personalitetit vokacional.

Kjo në thelb shpreh mungesën e një kulture eksplorimi vetënjohjeje të shoqërisë sonë.

Shumë prej fëmijëve, ndjehen të neglizhuar dhe të pasigurt në lidhje me të qënit prioritet dhe të rëndësishëm në familjen e tyre, kur prindërit kalojnë orë të tëra në angazhime jashtë shtëpisë.

Nevojat psikologjike të disa fëmijëve për tu shoqëruar janë më të mëdha se të tjerëve, kjo në varësi me tipin psikologjik të personalitetit.

Ata që janë ekstrovertë, duan me domosdoshmëri të jenë në qendër të vëmendjes.

Mosplotësimi i kësaj nevoje psikologjike i çon ata deri të depresion, duke bërë që të ndërmarrin dhe akte që vënë në rrezik jetën e tyre.

Prindërit ndaj këtyre fëmijëve me nevoja sociale të mëdha, duhet të tregojnë një angazhim kohor sasior, ndryshe nga ata fëmijë që duan pak kohë, por cilësore.

ËSHTË PËRGJEGJËSI PRINDËRORE TË NJOHIN MIRË FËMIJËT PËR TIPIN PSIKIOLOGJIK QË KANË DHE TË PLOTËSOJMË NEVOJAT E TYRE PSIKOLOGJIKE.

Një tjetër burim nga vjen pasiguria është pasja e një prindi ankthioz dhe protektiv, që nuk lejon që fëmija të ketë hapsira dhe mundësi për të marrë vendime apo eksploruar mjedisin jashtë shtëpisë.

Këta prindër e kontrollojnë në cdo moment fëmijën e tyre me ankthin se ndonjë rrezik mund të ndodhë, duke ndikuar drejpërdrejt në vetëvbesimin e tyre.

Fëmijë ndjen pasiguri dhe heziton të jetë kompetent dhe i aftë në aktivite që kërkojnë iniciativë sepse ai mbart me vete frikën e projektuar të prindit dhe beson se nuk ka aftësi të jetë i pavarur dhe autonom.

Ankthi i prindërve që shqetësohen pa vend për dicka që mund t’u ndodhë atyre, është frenues dhe bllokues.

Raporti mes frenimit dhe nxitjes, ka një rëndësi shumë të madhe në krijimin e vetëbesimit tek fëmijët, kjo me qëllim për të përmbushur detyrat e moshës.

Ndaj ata duan me shumë besim dhe liri veprimi, që të kenë mundësinë të testojnë aftësitë e tyre dhe të ndjehen krenar për atë që janë dhe bëjnë.

Por nuk mund të lëmë pa përmendur dhe prindërit autoritar apo perfeksionistë të cilët janë një tjetër burim pasiguire, pasi e vënë fëmijën në dilemën e të qënit të denjë apo jo për familjen e tyre.

Ata ndjehen fajtorë që nuk janë në nivelin e duhur të kërkesave të prindërve apo që nuk mund të jenë kurrë fëmijët që mund të bëjnë krenar prindin, duke mos siguruar kështu një trashëgimi dinjitoze të familjes.

Pasiguria që ata fitojnë është kaq e madhe dhe kaq e mprehtë, aq sa ata zgjedhin të sillen në mënyrë vetëshkatërruese për të konfirmuar pikërisht atë parashikim negative të prindit tyre, duke pasuar me përfshirjen në sjellje të rrezikshme.

Këto raste kërkojnë një trajtim nga profesionistë, pasi dëmi që është bërë është më i madh dhe në terapi duhen përfshirë dhe prindërit.

Pas gjithë këtyre vëzhgimeve, vlen të themi se ne prindërit kemi në dorë të rrisim fëmijë të sigurt dhe si rrjedhim dhe të lumtur, nëse u kushtojmë rëndësi mënyrës sesi ndërtojmë raportet me ta.