Fifi është në muajin e tetë të shtatzënisë, por komentet dhe “energjia e keqe” duket se nuk po e lënë të qetë, andaj këngëtarja ka bërë një reagim kundrejt këtyre komenteve që njerëzit thonë ose shkruajnë për të. Përmes një serie me postime në Instastory, Fifi shprehet:
“Një histori e shkurtër. Kam menduar që shtatzëninë do e kaloja krejt ndryshe…me shumë dashuri, me shumë lule, me shumë fjalë të bukura, me shumë mirëkuptim, me shumë mbështetje”.
Më tej, vijon:
“Por, jo! Jam duke e kaluar me shumë stres, me shumë siklet, me shumë punë, me shumë gjëra nëpër kokë, me plot sulme nga njerëzit, me plot smirë nga të gjitha anët e mundshme dhe më vjen plasja”.
“Sot kam hyrë në muajin e 8-të të shtatzënisë dhe në këto 8 muaj kam bërë 14 këngë. 10 prej tyre me videoklipe, 4 këngë të tjera nuk kanë dalë akoma. Mora pjesë në festival, ku u përkushtova 100%. Kam blerë aksionet e një lokali modest te gjimnazi “Ismail Qemali”, kam punuar për të investuar aty, përveç nga ana monetare, edhe fizikisht…”, vazhdoi Fifi.
“Krejt çfarë shoh dhe çfarë dëgjoj tërë kohën është (janë) fjalë, smirë, ofendime, sharje, fyerje, torturë. Më vjen keq që nuk jam një njeri i thjeshtë që të mund të shijoj goditjet e bebit tim. Më vjen keq që punova kaq fort për t’u bërë pjesë e këtij showbiz-i që nuk më lë t’i gëzoj e t’i mendoj vetëm momentet që bebi im më bën të vjell e të qaj dhe që ma ka shtuar dozën e emocioneve 10-fish dhe absolutisht refuzoj t’u kthej përgjigje njerëzve që hanë m*t për mua pas shpine dhe vijnë e më bëjnë lajka. Kam menduar që njerëzit, në përgjithësi, para një gruaje shtatzënë (pa dashur të luaj viktimën), kanë pak empati, zbuten e nuk shfryhen si hienat dhe i mbajnë ca gjëra përbrenda…por jo!”, shkroi artistja.
Për të vazhduar:
“Nuk kam ngelur shtatzënë për asnjë, kam ngelur për veten time, për të përmbushur veten si njeri dhe për t’i dhënë vetes një arsye më shumë për të luftuar në jetë dhe për të krijuar familje. Unë nuk shkatërrova asnjë familje, nuk kam ndarë njeri. Kështu e ka shkruar Ai lart fatin tim. Unë thjesht dua të bëj një festë për bebin tim, për të gëzuar që po e sjell në jetë. Më lini, pash të madhin Zot! Mos më mbushni me energji të keqe! Mos më jepni mendime negative! Mos më jepni stres! Më lini, ju lutem!”