Pedagogu Bislim Ahmetaj ka treguar bisedën me babanë e 7-vjeçares që u përplas për nga skafi që drejtohej nga komisari Arjan Tase, ditën e djeshme në plazhin e Potamit në Himarë. “Ma mori Zoti, ishim dorë për dorë, pse e mori atë e s’më mori mua…. Vetëm se duhet të kisha ikur unë dhe jo Jonada’, janë këto fjalët që babai ka thënë mes lotësh, shkruan në Facebook, pedagogu.
Pedagogu shkruan:
Unë e ngushëllova Bledarin, babin e Jonadës. Familja Avdia i ka hapur dyert dhe pret ngushëllime për humbjen që pësuan dje nga arroganca dhe papërgjegjshmëria e shtetit që merr fëmijën.
Jonada me sy të kaltër e cila dje po pllaquritej në Jon dorë për dorë me babi Bledarin është mbyllur në arkmort , mbi të derdhen përrenj lotësh që krijojnë detin e dhimbjes nga mami, gjyshja dhe dhjetra gra e vajza veshur me të zeza që lëvizin si magmë e zezë në oborrin e shtëpisë ku jeton gjyshi i saj.
Pak metra me tej në një kafe presin burrat. Aty s’ka gjamë, as vaj, veç sy të mbytur nga lotët dhe gulshe dhimbje. Shumë pak fjalë: Zoti ju forcoftë, Zoti ju dhashtë forcë dhe durim, shtrëngoni burra, Zoti e pastë marrë afër vetës e të tjera fjalë ngushëlluese të kësaj natyre. Dhe përgjigjet e rëmta nga familjarët që presin në këmbë: Ju lumshin kambët, faleminderit që keni ardhë, në gëzime jua kthefshim…
Bledari i jati i Jonadës, mundohet të përmbahet, të bëj burrin e fortë të malsisë, por nuk e lejon dhimbja që i pëlcet në shpirt: Ma mori Zoti, ishim dorë për dorë, pse e mori atë e s’më mori mua. Ta mori krimineli me uniformë, por s’ke ça me ba duhet me ba durim-ja kthej unë. Ehhh- ofshan- Ja la Zotit, vetëm se duhet të kisha vdekur unë dhe jo Jonada- thotë mes lotësh Bledari që erdhi për të parë prindërit, të afërmit dhe për të pushuar në bregun e detit Jon, ku la shpirtin e tij. E piva shpejt e shpejt atë kafe helm dhe ika i helmuar thellë në shpirt nga kjo tragjedi familjare, por jo vetëm. Ajo është tragjedia e çdo familje, ajo është ngjarja jonë kombëtare që duhet ta ndalim me çdo formë, me çdo mjet