Greqia paraqet platformën e saj për Green Pass por perjashton Shqiptarët nga futja e tyre ne kufi

Greqia prezantoi sot platformën e saj për certifikatën dixhitale Evropiane Covid, duke u bërë kështu një nga vendet e para të BE-së që kryen këtë proces i cili duket qartë se ka lënë jashtë Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit.

Nënkryetari i Komisionit Evropian Margaritis Schinas dhe ministri për zhvillimin dixhital, Kyriakos Pierrakakis, bënë sot prezantimin që ndoqi noa.al duke shpjeguar hap pas hapi mënyrën e funksionimit të certifikatës dixhitale evropiane.

“Certifikata Evropiane është një pjesë shumë e rëndësishme ku sistemet themelore funksionojnë në fushën e shëndetit”, tha z. Pierrakakis.

“Platforma greke e certifikatës dixhitale është një nga të parat që është gati të fillojë”, tha Schinas në praninë e Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel.

Certifikata Dixhitale e Covid do të lëshohet nga autoritetet shtetërore të çdo shteti dhe do të jetë në dispozicion në formë dixhitale ose të shtypur për ata që janë vaksinuar plotësisht, kanë një test negativ PCR ose kanë një certifikatë shërimi nga koronavirusi.

Kush do të jetë në gjendje të lëshojë një certifikatë dixhitale

Certifikata e gjelbët dixhitale do të jetë e vlefshme në të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së dhe do të jetë e hapur për Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën. Asgjë nuk parashikohet për Ballkanin.

Sipas ministrit Pierrakakis, “për lëshimin e certifikatës, kombinohen të dhënat nga sistemet shëndetësore për të gjithë ata që u sëmurën me Covid-19 dhe u shkruan si dhe atyre që janë vaksinuar”.

Po ashtu ministri informoi se është gjetur një mënyrë për të adresuar problemin me certifikatat që lidhen me testet molekulare, ndërsa turistët që bëjnë PCR në Greqi, mund ta marrin atë në këtë vend.

Nga data 1 korrik, ky proces është zyrtarisht i hapur, por edhe më parë mund të aplikohet, pasi siç tha kryeministri grek Mitsotakis, “është e rëndësishme të rivendoset liria e lëvizjes së qytetarëve.” /noa.al