“Kur shkova 11 vjeç donin të më martonin edhe pse unë doja të shkoja në shkollë”
Martesa me mblesëri është një pjesë e shoqërisë shqiptare, që edhe pas kaq vitesh, vijon të jetë e pranishme.
Në “Shqipëria LIVE”, Meleqe Reja, mësuesja e parë rome ka rrëfyer sfidat e saj të jetës duke nisur që nga fëmijëria. Ajo ka treguar se si në moshën 8-vjeçare e kishin fejuar dhe në moshën 11-vjeçare kishin tentuar ta martonin, ndërsa dëshira e saj ishte shkollimi.
“Prindërit e mi kishi 8 fëmijë. Kur unë u fejova isha 8 vjeç. Djali ishte 2 a 3 vjet më i madh se unë. Unë nuk e dija se çfarë ishte fejesa. Në klasë të katërt do martohesha. E urreja kur familjarët e burrit vinin në shtëpinë time. Kisha një frikë që do largohesha nga shtëpia, që do ndahesha nga motrat dhe vëllezërit. Nuk ishte vetëm torturë, por ishte skandal ajo që u bëhej fëmijëve. Babai im kishte shumë fëmijë dhe do seleksiononte kë do ushqente, por ai harronte se unë vërtet do largohesha por do kthehesha 3 vetë më vonë sepse do e kuptoja qëai njeri nuk ishte për mua. Edhe pse e kundërshtova, u martova por më pas u ndamë sepse e kuptuam që nuk ishim për njëri-tjetrin. Unë nuk e kuptoja në atë kohë çfarë ishte vjehrri, burri, martesa. Prindi nuk e kuptonte se kjo ishte dhunë që mua po më ushtronte.”- tha Reja.