Një i ri mbipeshë nga Karolina e Veriut në SHBA ka humbur rreth 70 kg dhe ka fituar një trup muskuloz vetëm për nëntë muaj kur hoqi dorë nga zakoni keq i pijeve të gazuara që i kushtonin më shumë se 2000 dollarë në vit.
27 vjeçari Taylor Robertson, nga Winston-Salem, pinte deri në dhjetë kanaçe të gazuara në ditë si dhe alkool në barin e tij lokal, si dhe hante ushqime të shpejta KFC në drekë dhe në darkë.
Por pasi hoqi dorë nga pijet toksike ai nisi të stërvitej rregullisht dhe merrte vetëm një vakt të vogël ushqimi të shpejtë, dhe pesha e tepërt nisi “t’i binte” nga trupi.
Roberston mori vendimin për peshën kur arriti 147kg dhe mezi merrte frymë kur flinte.
Dhe rrjedhimisht nëntë muaj më vonë ai kishte përgjysmuar peshën e tij me stilin e ri të jetesës, për të qenë siç thotë ai “më i denjë” për të fejuarën e tij, Hayleigh Cass, 24 vjeçe.
Robertson thotë se ra në zakonin e jetesës dembele pas universitetit, ku hante rregullisht ushqim të shpejtë dhe krijoi një varësi nga alkooli.
Ai thotë se u bë i varur nga pije si Pepsi e Cola si dhe nga pijet alkoolike me të cilat zgjohej ‘me dhimbje koke’ çdo mëngjes.
Duke përshkruar jetën e vjetër ai tregon: “Zgjohesha me dhimbje koke nga alkooli çdo mëngjes. Kur pija në bar, i flisja vajzave të tjera, pa e kuptuar që kjo dëmtonte marrëdhënien time. Mendova se kështu do të humbas të fejuarën time”.
Ai shton se nisi të shqetësohej kur kishte apnea në gjumë — një gjendje që mund të jetë e rëndë pasi vështirëson frymëmarrjen gjatë fjetjes.
“Më zgjonte e fejuara ime për të më thënë se nuk po merrja frymë”, shton ai.
Kështu që Robertson vendosi të ‘kthjellohej’ në tetor 2021 dhe menjëherë nisi të shihte ndryshimet.
“Nisa të humbja peshë, të isha i qartë dhe të kisha kohë të lirë nga ajo që shpenzoja duke pirë”, thotë ai.
Kjo i dha kohë që ai të kontrollonte në rrjet mënyra për të rënë në peshë, të ngrënies së shëndetshme dhe video të stërvitjes në YouTube.
“Gjeta një dietë me një vakt në ditë dhe vendosa ta provoj. Fillimisht nisa të ha pak ushqim të gatshëm por e kuptova që nuk ishte e shëndetshme dhe tani gatuaj vetë vakte të thjeshta si oriz apo mish pule”.
“Tani e kuptoj që mund të kontrolloj jetën time, përpiqem të jem një person i mirë”, thotë ai.