Ky është Ervis Vezi, një ri nga Shkodra i cili pas 20 vitesh arriti që të gjejë nënën e tij. I riu shkodran u rrit jetim në shtëpinë e fëmijës 6-16 vjeç në Shkodër por asnjëherë nuk reshti duke kërkuar nënën e tij duke arritur që ta gjente pas 20 vitesh.
Prej një viti nëna e Ervisit ka ardhur nga Durrësi ku jetonte e vetme në shtëpinë e të moshuarve në Shkodër. 31 vjeçari i cili sot në 1 tetor ditën e të moshuarve i dërgoi një buqetë me lule nënës së tij për të cilën kujdeset çdo ditë tashmë tregon historinë e tij.
31 vjeçari thotë se nënën e tij e ka gjetur në një fshat të Durrësit në kushte ekstreme të jetesës ndërsa për tre vite u desh ta bindte që nëna e tij Fahrije Vezi 64 vjeçe të vinte në Shkodër në shtëpinë e të moshuarve.
Ervisi tregon se si ai jo vetëm se nuk e ka harruar aspak nënën e tij por përkundrazi vjen e përkujdeset për çdo ditë për të tek shtëpia e të moshuarve edhe pse aty janë gjitha kushtet.
Mungesa e prindërve rrëfen 31-vjeçari ka qenë e madhe gjatë gjithë jetës së tij por që nga momenti kur ka gjetur nënën përjeton një lumturi të madhe. Ai thotë se nuk i ka kërkuar asnjëherë nënës së tij që të dijë arsyen e braktisjes dhe i mjafton që sot janë bashkë.
31-vjeçari ka edhe një apel për të gjithë ata që kanë dërguar prindërit tek shtëpia e të moshuarve apo të afërmit e tyre dhe i kanë braktisur duke mos patur asnjë interes më për to.
Ervis Vezi dhe nëna e tij por përjetojnë tashmë dashurinë e pafundme mes një djali dhe nënës duke lënë në harresë të plotë faktin që për 20 vite me radhë nuk patën mundësi që t’i japin një përqafim njëri-tjetrit.