Iku në Turqi të bëj ndërhyrjeje kirurgjikale estetike. Humb jeten 56-vjecarja

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Itali, pas vdekjes së sipërmarrëses së njohur italiane Milena Mancini, e cila humbi jetën pas një ndërhyrjeje kirurgjikale estetike në Turqi. 56-vjeçarja, e cila kishte udhëtuar drejt Stambollit në fund të shtatorit për t’iu nënshtruar një liposuksioni në bark, ndërroi jetë pas 20 ditësh në kujdes intensiv në Spitalin Universitar të Stambollit.

Sipas raportimeve nga mediat italiane dhe turke, ndërhyrja dukej e zakonshme, por vetëm 36 orë pas operacionit Mancini nisi të ndiente dhimbje të forta në stomak dhe u dërgua me urgjencë në spitalin “Medical Park”. Hetimet paraprake sugjerojnë se gjatë procedurës kirurgjikale mund të jetë dëmtuar një pjesë e zorrës, duke shkaktuar komplikacione të rënda që çuan në përkeqësimin e shpejtë të gjendjes së saj shëndetësore.

Familjarët e saj fluturuan menjëherë drejt Turqisë, ndërsa Konsullata italiane në Stamboll ka ndjekur rastin nga afër, duke u ofruar mbështetje të afërmve të viktimës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, Mancini ndërroi jetë të hënën në mëngjes.

Trupi i saj pritet të kthehet në Itali në orët e ardhshme, ndërsa është rënë dakord që autopsia të kryhet në Turqi, në prani të autoriteteve italiane. Sipas mediave italiane, Milena Mancini ishte vajza e industrialistit të njohur Alvaro Mancini, një nga themeluesit e kompanisë “Indexa SpA”, që operon në disa sektorë strategjikë si energjia, automobilat, mikroelektronika dhe kimiko-farmaceutika.

Vdekja e saj ka hapur debate në Itali mbi sigurinë e ndërhyrjeve estetike jashtë vendit dhe mungesën e kontrollit mbi klinikat private që ofrojnë shërbime të tilla për turistët mjekësorë.