Ina Kollçaku tregon luftën me tumorin dhe cfare shenja kishte

Më herët, Ina Kollçaku ka ndarë betejën e saj shëndetësore me një tumor në gjoks. Një moment aspak i lehtë në jetën e saj, por që ndërkohë preku fort edhe familjarët. E ftuar sot në “Rudina” në Tv Klan së bashku me nënës e saj, poeten Enkeleda Ristani, Ina e ritregon historinë ndërsa e ëma bashkangjit copëzat që mungojnë, përjetimet e saj në këtë sfidë të së bijës por edhe të pjesës tjetër të familjes.

Enkeleda Ristani: Si një ëndërr e keqe por që kaloi dhe u zgjuam mirë. Në fakt jo vetëm unë. I ati, motrat, ne u bëmë bashkë në gjithë këtë. Ina ishte nervoze, por përpiqej ta fshihte. Nga ana tjetër, u futëm dhe ne në rol.

Rudina Magjistari: Si ka qenë historia? Domethënë e mësove ti Ina e para?

Ina Kollçaku: Po, unë kam qenë.

Rudina Magjistari: Dhe pastaj… le ta themi për ta treguar për teleshikuesit historinë shkurtimisht?

Enkeleda Ristani: Falë Zotit që ma tha.

Ina Kollçaku: Unë ndieja, prekja diçka me duar në gjoks dhe kisha kohë që e shtyja për ta kontrolluar dhe kur shkova, kontakti i parë ishte që kjo është një masë tumoriale që është 3.5 cm dhe duhet urgjent që të operohet. Pra u vura para një fakti të kryer, nuk kishte më ekzaminime, nuk u dha asnjë lloj opsioni tjetër përveçse duhej bërë menjëherë ndërhyrja. Më la një javë kohë doktori që të bëja analizat të gjitha që bëhen përpara një anestezie totale, sigurisht që të ishin në rregull. Patjetër që kisha dilemat e mia, duhet ta thoja direkt, si do ia thoja, por thjesht mora telefonin dhe ia thashë siç ma tha doktori, tullë, e plasa dhe unë bombën.

Rudina Magjistari: Ia the në telefon?

Ina Kollçaku: Po direkt, sa kam dalë nga kontrolli. Telefonata e parë patjetër ishte mami, që telefonoi direkt babin, pastaj kur shkova unë në shtëpi…

Rudina Magjistari: Ai duhet të ketë qenë një moment tmerrësisht i rëndë.

Enkeleda Ristani: Nuk e di, nuk ka gjë më të rëndë, por shqyyr Zotit kaloi me aq. Ishte e rëndë sepse ne duhej të futeshim edhe në një rol,duhej të luanim atë që ne nuk ishim. Ne po e vuanim, po bërtisnim brenda nesh, por nuk duhet ta shfaqnim këtë përpara Inës. Duhet të ishim pozitive dhe Ina duhet të shihte që kjo që po ndodhte po kalonte shumë thjesht.

Ina Kollçaku: Por unë prapë e ndieja nervozitetin. Unë e ndieja që gumëzhinte gjëja. Madje para operacionit kemi pasur një konflikt, në thonjëza, që patjetër ishte shkarkim i të dyjave neve sepse shtyp unë, shtyp mami, të gjithë njerëzit po përpiqeshin në atë moment që të shtypnin të gjitha emocionet që të përballohej sa më mirë psikologjikisht por që patjetër, siç ishte mbështetja ime është edhe personi i shkarkimit në këto momente.

Enkeleda Ristani: Ajo që mbaj mend që vërtet u lehtësova, pasi mbaroi operacioni mjeku na tha që gjithçka shkoi mirë, nuk ka asnjë lloj problemi sepse ata e njohin nga eksperienca edhe pse më pas u bë edhe biopsia, por gjithsesi… Atëherë në një bar afër klinikës jemi shkrehur në të qarë, ajo ishte shkarkesa. Nëse nuk do ndodhte ajo shkarkesë, nuk e di çfarë do ndodhte, ishte shumë e fortë./tvklan