Kthehen reshjet, por.. – ja çfarë pritet deri në fund të muajit: Deri në 17 tetor..

Sipas sinoptikanes Tanja Porja, pas një fillimi tetori me temperatura të larta dhe ditë plot diell, moti do të ndryshojë sërish nga e mërkura e ardhshme. Sipas parashikimeve, reshjet do të rikthehen fillimisht në jug dhe qendër të vendit, duke zgjatur për rreth tre deri në katër ditë, deri afërsisht në datat 17–18 tetor.

Reshjet nuk pritet të jenë të forta apo problematike, por do të sjellin një freskim të lehtë të motit në pjesën më të madhe të territorit. Pas datës 18, kushtet do të përmirësohen ndjeshëm, me kthjellime dhe temperatura të larta që do të zgjasin deri në fund të muajit.

Meteorologët theksojnë se nga data 20 tetor e në vijim, pritet që temperaturat të rriten sërish, duke arritur në 27–28°C, madje në disa zona edhe më lart. Fundi i tetorit do të vijë me mot të ngrohtë e diell, më shumë i ngjashëm me shtatorin sesa me vjeshtën e thellë.

Për bujqësinë, këto kushte janë pozitive, pasi reshjet e moderuara dhe ditët e ngrohta ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrit të tokës. Nëntori nga ana tjetër pritet të jetë më aktiv në reshje, por pa ulje të ndjeshme temperaturash.

Pra, pas disa ditësh me shi, tetori do të mbyllet me mot të qëndrueshëm, të ngrohtë dhe me shumë diell. Kjo do të thotë më pak energji për ngrohje dhe më shumë ditë të mira për të shijuar vjeshtën jashtë.