Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës ka nisur hartimin për marrëveshjen e harmonizimit të njohjes reciproke të patentave me Gjermaninë.
Nënshkrimi i marrëveshjes do të mundësojë konvertimin reciprok dhe njohjen e leje- drejtimeve mes dy shteteve, Shqipërisë dhe Gjermanisë. Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor tha për Monitor se marrëveshja ndihmon si shqiptarët emigrantë rezidentë në Gjermani, por edhe shtetasit gjermanë rezidentë në Shqipëri.
“Të gjithë emigrantët shqiptarë rezidentë atje që do të duan të konvertojnë patentën shqiptare në patentë gjermane, si edhe ato gjermane me shqiptare për shtetas apo posedues leje-drejtimi gjermanë rezidentë në Shqipëri. Procedurat do të kryhen pranë automotorizimeve respektive, sipas landeve në Gjermani dhe në drejtoritë rajonalet tona në Shqipëri. Procesi do të lehtësojë e vijë në ndihmë shumë emigrantëve tanë në Gjermani që nuk do të kenë nevojë të fillojnë një autoshkollë nga e para atje, e cila do të kishte kosto e angari kohore për ta”.
Para finalizimit të procesit të njohjes reciproke të patentave, kreu i DPSHTRR-së Blendi Gonxhe pohon se ministria Federale e Transportit e RF Gjermane ka vlerësuar leje-drejtimin shqiptar. “Patenta shqiptare është e njëvlefshme me atë gjermane si siguri, si proces kualifikimi dhe testimi dhe po ashtu sigurinë rrugore shqiptare me progres të madh në vitet e fundit e bazuar në statistika e objektiva rajonale/europiane, të kapura nga Shqipëria me ulje të numrit të aksidentëve për numër banorë e numër mjete e drejtues mjetesh, si edhe ulje vdekshmërie e arritje treguesish shumë pozitive mbi sinjalistikën e infrastrukturën në përmirësim”, nënvizon Gonxhe.
Më herët Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor publikoi edhe procedurat e konvertimit të patentës për qytetarët të pajisur me lejedrejtimi të huaj që u ka mbaruar afati i vlefshmërisë dhe nuk kthehet dot jashtë që ta rinovojë për shkak të sanksioneve nga Covid-19 ose humbjes së rezidencës. Sipas DPSHTRR-së qytetari plotëson një kërkesë pranë sporteleve të drejtorive rajonale për heqjen dorë nga lejedrejtimi i huaj me qëllimin marrjen e lejedrejtimit shqiptar.
DRSHTRR njoftoi se qytetarët e interesuar duhet të paraqitet në sportel për aplikim për pajisje me lejedrejtimi shqiptar me këto dokumente me vete: dokument identifikimi të vlefshëm; lejen e qëndrimit e cila duhet të jetë brenda afateve të vlefshmërisë; lejedrejtimin e huaj; autorizim dhe fotokopje të kartës së identitetit nëse do paraqitet dikush tjetër për të tërhequr lejedrejtimin. Pas marrjes së miratimit nga shteti përkatës, qytetari i nënshtrohet testimit të normave të sjelljes në rrugë ku pasi e kalon këtë testim do të pajiset me lejedrejtimin shqiptar, duke dorëzuar edhe raportet mjekësore të nevojshme.