Nertili është një i ri që në moshë të re humbi praninë e të ëmës në jetën e tij dhe tregon se u rrit nga gjyshja, bashkë me motrat, pasi mamanë ia trafikuan jashtë shtetit.
Ai rrëfen historinë e dhimbshme të jetës, pasi gjyshja i ndërroi jetë dhe u detyrua të largohej për në Greqi, ku udhëtoi në shumë qytete.
I riu rrëfen se për shkak se u kap me klandestinë, ai bëri 64 ditë burg. Pavarësisht kësaj atë e ndihmoi gjyqtarja, e cila i dha rroba dhe para për një arsye shumë tronditëse.
Ai tregon se: “Herën e fundit kur jam kapur nga policia kam bërë 64 ditë burg. Më kanë kapur me klandestinë, më nxorën dhe në gjyq, më vunë dhe apelas ndërkombëtar dhe kam bërë 64 ditë burg me katër seanca gjyqësore. Gjyqtarja ishte shumë e mirë. Ajo më ndihmoi. I kërkova të më sqarojë se pse e bën të gjithë këtë.
E vetmja arsye pse bëra të gjithë këtë më tha është se më ke ringjallur djalin, sepse djali im në moshën 18 vjeçe ka pësuar aksident me motor edhe ishte identik nga këmbët deri te koka si puna jote”.
Sërish rrezikoi, pasi dërgoi edhe dy djem të lagjes në Greqi, por u kap sërish nga policia. Për fatin e tij të mirë, kësaj here nuk firmosi asnjë letër dhe nuk qëndroi fare i burgosur. Menjëherë sapo kaloi doganën greke, Nertili postoi në Facebook “F**k Police”. Pikërisht ky postim do të bëhej shkak i njohjes me Dafinën. Ata filluan të shkëmbenin mesazhe me njëri – tjetrin derisa më në fund e lanë të takoheshin.
Djali rrëfen: “Jemi takuar te Pallati me Shigjeta sepse aty afër ka dhe punën që punon sot. Thjesht pimë një kafe në mënyrë shoqërore dhe më thotë më duhet të iki se u bëra vonë, sepse kishte dalë gjysmë ore përpara se të mbaronte puna”.
Dafina është më e madhe në moshë se Nertili. Midis tyre ka 11 vite diferencë.
“Unë nuk e kuptoj se çfarë ka për t’u habitur. Pasi pimë kafen u kënaqa shumë. Ndahemi dhe i thashë që do vij prapë. Vij për 8 Mars, kur unë isha plotësisht i bindur te ajo. Marr një buqetë me lule dhe e telefonoj. E takova te 21-shi dhe pimë kafe, biseduam për ato tonat. Aty e propozova për martesë. Problemi i vetëm më tha është mosha. Tani kemi nëntë muaj të martuar.”
Nertili është në “Kam një mesazh për ty” për t’i thënë bashkëshortes që të mos ketë frikën e diferencës së moshës midis njëri – tjetrit si dhe të mos dëgjojë se çfarë thonë të tjerët.
Dafina pranoi ftesën për të qenë pjesë e “Kam një mesazh për ty”.
I pyetur nga Ardit Gjebrea se kush mund të jetë personi që e ka ftuar, Dafina shprehet me siguri se mund të jetë vetëm bashkëshorti dhe se s’mund të ketë tjetër njeri.
Arditi – Pse mendon se nuk ka tjetër njeri?
Dafina – Tipat e motrave i njoh, i lashë në punë. Vëllai them se ai nuk është se e di ça tipi ka. Kështu që tjetër njeri nuk kam.
Në ekran Dafina shikon që pas murit është pikërisht bashkëshorti i saj, Nertili.
Dafina – Li.
Nertili – Gaforre!
Arditi – Çfarë të tërheq te Nertili.
Dafina – Sinqeriteti edhe vuajtjet që ka kaluar.
Nertili i jep mesazhin e tij Dafinës.
Nertili – Gaforre, ti e di që unë të dua shumë edhe e vetmja arsye që të kam sjellë këtu është që mos mendo se çfarë thonë njerëzit, mos mendo diferencën e moshës dhe dua ta shijosh bashkë me mua këtë dashuri siç të na vijë. Si të jetë dita e fundit e jetës tonë. Kjo është arsyeja pse të kam sjellë këtu sepse je e vetmja femër që unë ndihem i lumtur. Dhe jam shumë krenar që të kam ty në krahët e mi.
Dafina – Edhe unë.
Nertili – Sepse mos të kisha ty, unë nuk e di se ku do të përfundoja.
Arditi – Na tregoi pak për jetën e tij, për diferencën e moshës që ju keni. Edhe unë u çudita që ka akoma njerëz që mund të komentojnë diferencën e moshës. E komentojnë?
Dafina – E komentojnë shumë.
Arditi – Dhe juve ju bezdis kjo gjë?
Dafina – Për momentin sa ma kap veshi, për momenti po. Pastaj e kaloj. Është ai mentaliteti shqiptar, pavarësisht se thonë epo mirë, ke bërë diçka të bukur, por mbrapa krahëve thonë diçka tjetër.
Dafina e di mirë kush është Nertili dhe se çfarë është ai i gatshëm të bëjë për të. Kundrejt fjalëve të njerëzve ata i përgjigjen njëri-tjetrit me dashuri./Tv Klan/
Share this: