Si një profesionist që zor të gabojë, profesori Luan Shtino e njohu nxënësin e tij, Klevisin, që hyri i maskuar në skenën e “Ka Një Mesazh Për Ty” vetëm nga lëvizjet e baletit dhe forma e këmbëve. Sigurisht, ai ishte në pritje se njeriu që e kishte thirrur në rubrikën nga “E diela shqiptare” në Tv Klan mund të ishte një prej nxënësve të tij dhe intuita nuk i gaboi.
Kjo intuitë ishte ajo që vite më parë, kur për Klevisin diskutohej të përjashtohej nga Shkolla e Baletit, e bëri të merrte vendimin për ta mbajtur. Duke besuar e punuar me të, sot ai ka një ndër nxënësit më të talentuar, i cili ka një karrierë në SHBA dhe prek skena ndërkombëtare. Në këmbim të besimit, Klevisi i fal mirënjohjen e tij të thellë.
Ardit Gjebrea: Ka një mesazh për ty, le ta dëgjojmë Klevisin.
Klevis: Profesor, e para e punës dua të të falenderoj jashtë mase. Nuk gjej fjalë të përshkruaj respektin, admirimin që unë si Klevis dhe nxënës juaji kam për ju dhe do të kem gjithë jetën. Ti për mua ke qenë një frymëzim, ke qenë një baba, ke qenë një mësues që në kohët më të vështira je gjendur gjithmonë aty për mua dhe vendimet që ti ke marrë për karrierën time mua më kanë ndryshuar jashtëzakonisht shumë. Unë, falë atyre vendimeve, përkushtimit që ti gjithmonë ke pasur kundrejt meje më ke bërë ky që jam sot. Të bëj atë që unë dua, baletin ta bëj me shpirt, me zemër dhe të falenderoj jashtëzakonisht shumë profesor, të paça gjithmonë.
Luan Shtino: Je i jashtëzakonshëm. Ardit, dy fjalë dua të them. Në klasë, ishin djem të talentuar dhe sot shumë prej tyre janë lart e poshtë, Gjermani, Amerikë, nuk po zgjatem me emra shumë. Ishte pak nga më të dobëtit, me një trup të vogël, i ngjeshur pak. Dikush pas një provimi tha “hiqe profesor, ke të tjerët”. I thashë “unë atë nuk e heq. Unë shoh tek ai, se ç’ka një forcë të brendshme shpirtërore, ka një dëshirë për t’u bërë. Si do shpërthejë, sa do shpërthejë, kur do shpërthejë këtë nuk e di, por e ndiej që ka diçka përbrenda”.
E mbajta, nga më të dobëtit, në fund e lija, s’u ankua asnjëherë, të thoshte “unë, unë, unë”. Rrinte në levë, në cep dhe në vitin e fundit arriti te leva e mesit. Veç kësaj ko vetëm që u bë, por kërceu edhe gjëra jashtëzakonisht të vështira. Arriti me punën e tij përfundoi në Amerikë, Nju Jork, solist. Është forca e tij shpirtërore dhe ndërgjegjja ime si profesor, që këtë njeri unë e mora përsipër dhe e bëra, e mora me ndërgjegje të plotë.
Ardit Gjebrea: Dhe ai është mirënjohës përjetë./tvklan.al