“Edhe pse takimi do të bëhet vetëm me video, unë jam e gëzuar që do të mund të vijojmë bashkëpunimin me kryetarët e shteteve dhe qeverive nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia”, tha kancelarja gjermane Angela Merkel në podcastin e saj të përjavshëm, të shtunën (2.7.2021) në Berlin.
Merkel kujtoi më tejfillimet e Procesit të Berlinit të iniciuar nga Gjermania në vitin 2014: “Si atëherë, ashtu edhe sot qëllimi është të japë ndihmesa sa më konkrete për qëndrueshmërinë e rajonit dhe për dialogun paqësor mes të gjiha palëve”, vijoi më tej politikania kristiandemokrate.
“Për mua është më se e qartë: “Ne, shtetet anëtare të BE-së, jemi shumë të interesuara për një zhvillim paqësor dhe të mirë të Ballkanit Perëndimor. Dhe ne kemi një përgjegjësi që të angazhohemi faktikisht për këtë”
Këmbimet mes të rinjve:
Merkel më tej veçoi disa nga arritjet e Procesit të Berlinit: „Forumin Rinor të Ballkanit Perëndimor, i cili bën bashkë të rinj nga etni, gjuhë dhe fe të ndryshme”, por edhe “në arsimin profesional, në njohjen reciproke të diplomave të shkollave të larta dhe në bashkëpunimin e shkencës”, si edhe “përparimet në projektet e transportit dhe infrastrukturës, të cilat ndërlidhin rajonin”.
Të gjitha janë hapa të rëndësishme për të arritur në një komunikim të vazhdueshëm përtej kufijve, i cili ndihmon që të pakësohen rezervat. Dhe i sjell këto vende të gjitha së bashku në synimin e tyre për të plotësuar kushtet për anëtarësim në BE. Jam e bindur se herët a vonë e ardhmja e tyre me të vërtetë do të jetë në Europën e bashkuar”, tha kancelarja.
Lipset ende pajtim
Më tej Merkel u përqendrua edhe te sfidat e rajonit. “Ende nuk janë zhdukur mosbesimi dhe nacionalizmat e vjetra, të cilat shumë shpesh ngjallin grindje dypalëshe”.
Edhe në të ardhmen nevojitet pajtim, tha nismëtarja e Procesit të Berlinit: “Kjo do të thotë që të trajtohet e kaluara, por edhe të bëhet gjithçka e mundshme që brezi i ri të jetojë në paqe”
“Unë jam e bindur se me konferencat e përvitshme të Ballkanit Perëndimor, ne mund të ndihmojmë në këtë proces”, përfundoi kancelarja Merkel.