Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Vlorë, ku një kamarier u dhunua teksa punonte si kamarier nga një efektiv policie, ka folur për Euronews Albania edhe mësuesja e tij, Valentina Veshja.
Ajo tregon për Aronin, nxënësin e saj, i cili ishte punësuar gjatë verës për të fituar disa të ardhura vetjake, si shumë maturantë të tjerë.
“Do ta gjeja kohën për një fëmijë si Aroni. Unë jam në dijeni të punësimit të nxënësve sepse është kënaqësi ata punojnë me dëshirë, sidomos tani që viti tjetër është vit mature dhe duan të mos varen financiarisht nga familja. E dija që punonte në atë restorant dhe kur e pashë Aronin të dhunuar, u ndjeva thellësisht e indinjuar.
Ai është një fëmijë i mrekullueshëm, dhe si mësuese mund të them me plot gojën, Aroni është senator i klasës. Do të doja të flisja gjatë për të, sepse është një shembull për t’u admiruar.
Kur kemi fatin të kemi fëmijë të kësaj kategorie, nuk mund të lejojmë të vuajnë në këtë formë. Nuk është mirë çfarë po ndodh shkollat po mbyllen, maturantët duan të largohen nga vendi, dhe është një keqardhje e madhe për të gjithë ne.
Duhet t’i japim mbështetje të madhe Aronit por jo vetëm atij, po të gjithë “Aronëve” që përpiqen, punojnë dhe përballen me vështirësi në heshtje.”-ka thënë mësuesja e tij. euronews