Mot i paqëndrueshëm, rënie e temperaturave të mërkurën – Shikoni se si do ndryshoj ne fundjavë

Vranësirat janë shtuar ndjeshëm sot në gjithë territorin shqiptar, ndërsa veriperëndimi ka përjetuar momente me pika shiu gjatë pjesës së dytë të ditës. Moti mbetet i paqëndrueshëm, por jo i ftohtë — përjashtim bën dita e nesërme, e cila sjell një rënie të theksuar të temperaturave.

Sipas sinoptikanëve, sonte dhe gjatë natës priten rrebeshe të shkurtra kryesisht në veri dhe jug, ndërsa në zonat qendrore reshjet do të jenë të pakta ose thuajse të papërfillshme.
enjtja do të jetë më e qëndrueshme, me vranësira kalimtare dhe shumë pak reshje lokale, ndërsa e premtja sjell rrebeshe afatshkurtra në veri dhe veriperëndim.

Në fundjavë, moti përmirësohet dukshëm. E shtuna do të jetë pothuajse pa reshje, përveç ndonjë momenti të shkurtër me pika shiu, ndërsa e diela rikthen ngrohtësinë tipike të vjeshtës, me temperatura që ngjiten deri në 28°C në rang vendi.

Pas kësaj periudhe, e hëna parashikohet edhe më e ngrohtë, me vlera maksimale deri në 29–30°C, përpara se të vijë një rënie e fortë e temperaturave të martën, që mund të shoqërohet me reshje bore në zonat e larta malore në fund të muajit tetor.

Në përmbledhje:

  • E mërkurë: rënie e ndjeshme e temperaturave, reshje të shkurtra.
  • E enjte – e premte: stabilizim i motit, rritje graduale e temperaturave.
  • E shtunë – e diel: mot i ngrohtë, deri në 28°C.
  • E hënë: afër 30°C, përpara rikthimit të ftohtë.

Pra, java mbyllet me diell e ngrohtësi, por tetori nuk e ka thënë ende fjalën e fundit.