Moti bën sërish kthesën drastike. Meteorologia Adiola Bani ka bërë me dije se nga dita e nesërme moti do të bëjë kthesë, duke nisur me rënie temperaturash deri të rrebeshe shiu kryesisht në zonat malore dhe lindore të vendit.
Meterologia Adiola Bani thekson se dita e sotme parashikohet të jetë me mot të kthjellët thuajse në të gjithë vendin, por gjithçka nis të ndryshojë nga mëngjesi i nesërm.
“Kjo fundjavë do të paraqitet nën ndikimet e motit të paqendrueshëm për zonat malore, kurse Ultësira Perëndimore do të karakterizohet nga mot i kthjellët.
Dita e sotme do të ketë kthjellime në pjesën më të madhe të vendit, kurse mundësia për reshje shfaqet vetëm në zonat veriore dhe ato lindore. Reshjet do të jenë në sasi të paktë”, shprehet ajo.
Sa i përket të dielës, priten rrebeshe të shkurtra shiu në zonat malore dhe lindore.
“Dita e dielë do të paraqitet me kthjellime të pakta dhe vranësira të shpeshta duke filluar nga mëngjesi. Kjo situatë do të jetë në të gjithë vendin. Pas mesditës do të ketë rrebeshe të shkurtra shiu, kryesisht në zonat malore. Gjatë të dielës do të ketë rënie të ndjeshme të temperaturave duke filluar nga mëngjesi. Temperaturat maksimale të dielën do të variojnë nga 7 deri në 25 gradë celsius”, shpjegon Bani.