I gjithë vendi është përfshirë nga moti i keq me reshje të dendura shiu, të cilat kanë shkaktuar përmbytje në disa qarqe.
Sinoptikania Lajda Porja ka deklaruar se moti i paqëndrueshëm do të vazhdojë deri në fund të nëntorit, ndërsa priten edhe reshje dëbore, kryesisht në zonat veriore të vendit.
“Në zonat e juglindjes situata do të jetë alarmante. Gjatë natës pritet të ketë reshje 30-40 ml, sasi mjaft e madhe, duke çuar nivelin e ujit të lumenjve në pikën kritike. Reshjet e shiut do të ndalojnë të hënën për të rifilluar në mesin e javës së ardhshme”, u shpreh sinoptikania Porja.
Vendi ynë do të përfshihet gjatë ditës së sotme nga një mot i paqëndrueshëm, me vranësira mesatare deri të dendura.
Reshjet e shiut do të jenë të herëpashershme që në orët e para të 24-orëshit deri në orët e mëngjesit në pjesën më të madhe të vendit me intensitet të ulët, ndërsa në veriperëndim dhe në jugperëndim, reshje shiu me intensitet kryesisht mesatar, hera-herës shtrëngata shiu shoqëruar me shkarkesa elektrike.
Gjatë ditës reshjet e shiut do të mbeten prezente të herëpashershme me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të vendit.
Në orët e mbrëmjes reshjet e shiut ndërpriten. Në lartësinë mbi 600-700 metra në verilindje dhe në lartësinë mbi 1000 metra në juglindje, reshje bore me intensitet të ulët, në Alpe dhe verilindje me intensitet deri mesatar.