Moti javën e fundit të tetorit: Reshje, por edhe rritje temperaturash deri në 29°C..

Ditët në vijim do të karakterizohen nga një mot i qëndrueshëm dhe i ngrohtë për periudhën e fundit të tetorit, me praninë e disa reshjeve afatshkurtra në mesjavë dhe gjatë fundjavës.

Sipas parashikimeve, dita e sotme mbetet kryesisht me kthjellime dhe vranësira të lehta kalimtare, ndërsa temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 25°C, veçanërisht në zonat jugperëndimore të vendit.

E marta do të vijojë me kushte të ngjashme, pa ndryshime të ndjeshme në vlerat termike apo në situatën sinoptike. Gjatë mbrëmjes së së martës dhe në orët e para të natës, pritet rikthimi i reshjeve të pakta, të cilat do të zgjasin deri të mërkurën paradite.

Të mërkurën, për shkak të vranësirave më të dendura dhe reshjeve të lehta, do të vërehet një rënie e ndjeshme e temperaturave — deri në 21°C në vlerat maksimale. Megjithatë, kjo freski do të jetë e përkohshme, pasi të enjten moti përmirësohet sërish me rritje graduale të temperaturave, si në mëngjes ashtu edhe në mesditë, duke arritur deri në 25°C në të gjithë territorin.

Nga e premtja e në vijim, pritet një rritje e ndjeshme e vlerave termike, me maksimumet që do të ngjiten deri në 28–29°C gjatë fundjavës, ndonëse herë pas here do të ketë vranësira dhe reshje të izoluara, kryesisht të shtunën dhe të dielën.

Në zonat malore, temperaturat minimale do të zbresin deri në 9°C në orët e para të mëngjesit, ndërsa përgjatë vijës bregdetare pritet që termometri të luhatet nga 17 deri në 18°C.

Në përmbledhje, java do të sjellë disa reshje të lehta dhe të shkurtra në mesjavë e fundjavë, por moti në përgjithësi do të mbetet i ngrohtë për këtë periudhë, me temperatura që në fund të tetorit mund të arrijnë deri në 29°C.