Publikoi skandalin me Tiren, Saimir Kodra paralajmëron të tjera raste: Do jetë lemeri nëse…

Gazetari investigativ Saimir Kodra ka deklaruar se ka raste të tjera të ngjashme me atë të Tire Alldervishit.

Duke folur në emisionin “Opinion”, Kodra tha se ai ka shumë raste të tjera dhe vetëm po pret miratimin e familjarëve të disa të ndjerëve, të cilët janë përballur me korrupsion në spitalet tona Covid.

“Kam raste të tjera dhe po pres miratimin e familjarëve që t’i nxjerr. Janë të konfirmuara janë mesazhe të pacientëve që kanë humbur jetën dhe të familjarëve të të ndjerëve. Prandaj thashë që ka raste të tjera përveç Tires, se nuk flisja kot. Dhe Tirja na doli jo sanitare, por menaxhere e paparë. Dhe vetëm telefoni i Tires është “çmontuar”, imagjinoni të hapen telefona të tjera.

Dua të falenderoj prokurorin e çështjes, por dua t’i them që nëse hapen kamerat e lokaleve pranë dhe rreth spitaleve, do jetë lemeri. Nga uljet në kafe, bisedat që janë bërë për të marrë rryshfet e të gjitha. Një grua më tha që ka dhënë 50 euro vetëm që t’i rruanin të afërmin pasi vdiq”, u shpreh Kodra.