Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të basketbollistit Arben Fagu. Si ish-basketbollist, kreu i qeverisë ka kujtuar më mallëngjim veprën dhe figurën e Ben Fagut, siç edhe e quan. ‘
Me ikjen e Ben Fagut është zbrazur mesi i fushës së kujtimeve të kohës kur ai stërviste dhe drejtonte skuadrën tonë nga stoli, ku kishte zënë vendin e legjendarit të Dinamos e të Kombëtares kuqezi të basketbollit, profesorit Feti Borova.
Ben Fagu solli tek Dinamo të gjithë fuqinë e ambicies, vullnetit dhe ndershmërisë që i kishte bërë vëllezërit Fagu, djemtë e të mirënjohurit për lartësinë burrërore, Besim Fagu, shembëlltyra të dinjitetit e të respektit në bashkësinë sportive e sportdashëse të Shqipërisë.
Beni solli në skuadër entuziazëm dhe dëshirë të madhe për ta përmbysur më në fund diktaturën e Partizanit – çka nuk arritëm ta realizonim edhe pse i shkuam shumë afër. Stërvitjet u bënë shumë intensive dhe marrëdhëniet në skuadër shumë të mira, falë edhe qasjes së Benit, që nxehej shpesh brenda perimetrit të fushës, po çelej e bëhej një shok i dashur sapo binte bilbili i përfundimit të stërvitjes.
Sot kujtoj me mallëngjim pikërisht të qeshurën e tij prej njeriu tejet të çiltër dhe nuk e besoj dot që Ben Fagu s’është më!
Përqafime Ben dhe faleminderit për çka na dhe e dhe gjithmonë pa kursim për sportin e për shokët, duke mos kërkuar kurrë asgjë përveç respektit plotësisht të merituar!’- shkruan Rama.