Rikthehen reshjet e shiut, sinoptikania Tanja Porja zbulon parashikimin e Motit

Ngrohje e lehtë e motit, por vranësirat mbeten dominante në të gjithë territorin shqiptar. Gjatë pjesës së dytë të ditës së sotme krijohet mundësia për momente të shkurtra me pika shiu, kryesisht në brigjet jugperëndimore të vendit. Bëhet fjalë për reshje të dobëta dhe afatshkurtra, pa sasi të konsiderueshme.

Vranësirat do të jenë të pranishme jo vetëm sot dhe nesër, por gjatë gjithë periudhës pesëditore. Nga pasditja e së dielës pritet fuqizim i tyre, duke krijuar mundësi për reshje të pakta dhe lokale. Ndërsa dita e hënë, veçanërisht në pjesën e dytë të saj, sjell reshje shiu në zonat perëndimore, veriperëndimore dhe jugperëndimore.

Nga e marta dhe në vijim për disa ditë me radhë, reshjet do të përfshijnë të gjithë territorin shqiptar. Priten reshje shiu në zonat e ulëta dhe bregdetare, ndërsa reshje dëbore në zonat malore, të cilat do të vijojnë për dy deri në tre ditë.

Temperaturat
Sot: maksimumi arrin 24°C, kryesisht në jugperëndim. Minimumet kanë zbritur rreth 0°C në veri dhe verilindje, zonat më të ftohta të vendit.
Nesër: ruhet minimumi rreth 0°C, edhe në zonat malore juglindore, ndërsa maksimumi zbret lehtë në 23°C.
Fundjava: vijon rënie graduale e temperaturave. Në zonat e thella malore priten vlera -1 deri -2°C, ndërsa në zonat e ulëta temperaturat e mëngjesit luhaten nga 8°C në brendësi deri në 11°C në bregdet. Maksimumet e mesditës ngjiten deri në 21°C, kryesisht në zonat bregdetare.
E hëna: rënie e lehtë e temperaturave të mëngjesit, ndërsa mesdita mbetet pothuajse e pandryshuar.
E marta: rritje e lehtë në mëngjes, por rënie e ndjeshme në mesditë me rreth 3°C, për shkak të vranësirave të dendura dhe reshjeve që nisin që në orët e paradites.
Gjatë të martës dhe të mërkurës, reshjet do të vazhdojnë, me borë në zonat malore, ku temperaturat e mëngjesit zbresin deri në -2°C në veri dhe verilindje, si dhe 0–1°C në juglindje.