Gadishulli Iberik dhe vendet e Ballkanit po luftojnë me shumë zjarre, në mes të një vale të nxehti, që kanë shkatërruar tashmë një pjesë të zonës turistike spanjolle të Las Medulas, një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Vala e të nxehtit që po përshkon Evropën ka bërë që institutet meteorologjike në Francë, Itali dhe deri në Shqipëri të lëshojnë alarme për valë të nxehti.
Vendi ynë do të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të nxehta deri ne date 25 gusht. Temperaturat priten te kapin rekorde ne vendin tone mbi 40°C.
Në Francë, qyteti i Bordosë theu sot rekordin e të nxehtit me 41,6°C.
”Këto temperatura të larta, të cilat po fillojnë të mbërrijnë Mbretërinë e Bashkuar, janë çuditërisht të forta krahasuar me të dhënat historike. Megjithatë, valët e të nxehtit më të përhapura, më të gjata dhe më të shpeshta janë një pasojë e parashikueshme e rritjes së përqendrimeve të gazrave serrë në atmosferë, kryesisht për shkak të përdorimit tonë të lëndëve djegëse fosile”, shpjegon Richard Allan, një profesor në Universitetin e Readingut në Mbretërinë e Bashkuar.
“Intensiteti i valëve të të nxehtit të verës, si dhe kushtet ekstreme të motit, qofshin të thata apo të lagështa, do të vazhdojnë të përkeqësohen në mënyrë progresive derisa të kontrollojmë emetimet e gazrave serrë dhe të stabilizojmë ngrohjen globale”, shtoi ai, duke theksuar nevojën për t’u “përgatitur për një botë më të rrezikshme”.
Ministria italiane e Shëndetësisë lëshoi një alarm të kuq të hënën për shtatë qytete të mëdha, përfshirë Bolonjën dhe Firencen, pasi temperaturat pritet të rriten më tej në ditët në vijim. Njëmbëdhjetë qytete janë në alarm të kuq për të martën dhe 16 për të mërkurën.
Rreth 190 zjarrfikës dhe ushtria vazhdojnë të luftojnë një zjarr që ka shpërthyer që nga e shtuna në parkun përreth malit Vezuv, i cili është i mbyllur për turistët.