Prej disa ditësh tanimë vendi ynë është përfshirë nga temperatura shumë të larta që në disa qytete i kanë kaluar edhe 40 gradë celsius. Sinoptikanët parashikojnë se këto temperatura ekstreme do të vijojnë të jenë prezente edhe në ditët në vazhdim, ndërsa fundjave pritet të sjellë një ulje të ndjeshme të tyre.
Lajda Porja ka treguar se temperaturat do të shënojnë ulje deri në 35 gradë. Ajo shtoi se reshjet e shiut do të jenë prezente në vend, por në zona të izoluara dhe kryesisht ato malore. Sipas sinoptikanes nuk përjashtohet mundësia që gjatë këtij muaji të ketë një valë tjetër të nxehti Afrikan në vend.
Valë e nxehtë në fakt me epiqendër në brigjet e Egjeut. Kjo është vala më e nxehtë tani për verën. Kjo valë e nxehtit po zgjat pak më shumë. Termometri ka shënuar 42 gradë, madje ka pasur rritje të vlerave sot. Pjesa më e madhe e zonave perëndimore shënojnë 40, e në qarkun e Fierit dhe Beratit temperaturat shënojnë 42 gradë. Temperatura të larta janë dhe në Kukës dhe Has. Parashikohet që deri në mesat e javës, do të ketë më pas një rënie të lehtë. Pra nga 42 pritet të shkojnë në 40 gradë.
Që nga ora 10 e paradites, deri në orën 14:00 do të jetë piku. Fatmirësisht në disa zona do të ketë rrebeshe shiu në zona të izoluara. Freskimi i motit do të ndihet në fundjavë kur temperaturat do të zbresin deri në 35 gradë. Nuk përjashtohet mundësia e një tjetër vale në gusht që do përfshijë Shqipërinë. Të nxehtit afrikan këtë verë si epiqendër kanë pasur brigjet e Egjeut.