Rritja e shifrave me Covid 19 në Shkoder, që e rendisin qarkun e dytë pas Tiranës për nga numri i të infektuarve me 1906 raste, ka bërë që njësia vendore e kujdesit shëndetësor të ndryshojë strategji për sa i përket përballimit të situatës.
Kur infektimet po rriten, e po ashtu edhe shtrimet në spitale e fatalitetet, ajo ka zgjedhur që të gjitha testet për Covid, si dhe vaksinimet të mos kryhen më në mjediset e saj, por në qendrat shëndetësore pranë mjekut të familjes.
Me dhjetra qytetarë po kthehen pas prej 2 ditësh nga mjediset e shendetit publik, duke i orientuar që të kryejnë këtë proçes tek mjeku i familjes, si forma e vetme për të shmangur grumbullimet përpara dyerve, si dhe për të ulur kontaktet që behen burim për përhapje të infeksioneve.
Megjithese në pamje të parë kjo strategji shihet pozitive, duke shkuar tek mjeku i familjes specialistët thonë se mund të rriten rastet per abuzime, e madje mund të jetë më e lehtë që të manipulohen rezultatet kur flitet për infektimet.
Vetëm në 24 orët e fundit Shkodra ka patur 99 raste të reja dhe 1 viktimë, ndërsa vaksinimet mbeten të ulëta kryesisht tek moshat e reja, por duke mos mbetur pas edhe moshat e rriskuara. Shtatori do të jetë muaji i dytë kushtuar vaksinimeve të hapura, e ku me prioritet do të jenë kategoritë si mjeket, mësuesit dhe studentet, por që deri më tani ato vijojnë të refuzojnë marrjen e dozave.
Zyrtarisht spitali i Shkodres, universiteti “Luigj Gurakuqi” dhe zyra vendore e arsimit duhet të raportojnë numrin e saktë të stafeve të tyre që janë të pavksinuar, me qëllim që pas nisjes së shkollave dhe universitetet, ndaj tyre të merren masat përkatese sipas udhëzimit të lëshuar nga komiteti teknik i ekspertëve. /ShkodraNews