A duhet të agjerojë muajin e Ramazanit nëse jam me diabet? Dr. Shefqet Deliallisi

PYETJE PËR DIABETIN..
Dua të agjëroj muajin e Ramazanit, jam me diabet, si të veproj?
Agjërimi gjatë Ramazanit është obligim për çdo besimtar mysliman të rritur. Gjatë kësaj periudhe nuk përdoret ushqim dhe ujë gjatë gjithë ditës, ndërsa përdoret ushqim në sasi të shtuar para lindjes dhe pas perëndimit të diellit.
Nëse vuani nga sëmundje që ndikohen negativisht nga agjërimi, sipas Kuranit, ju përjashtoheni nga agjërimi. Diabeti mund të futet në këtë kategori sëmundjesh, por nëse ju nuk e pranoni këtë mundësi dhe vendosni të mbani Ramazan duhet të keni parasysh disa këshilla.
Para fillimit të agjërimit duhet të bëni një vlerësim të gjendjes tuaj fizike duke bërë ekzaminimet përkatëse mbi bazën e të cilave të vlerësohet aftësia për të agjëruar ose jo. Principet e dietës duhet të zbatohen në çdo rast. Është e zakonshme në shumë komunitete myslimane që gjatë prishjes së agjërimit të konsumohen sasi të mëdha ushqimesh të fërguara dhe ushqime të pasura me karbohidrate. Duhet t’i ndaloni këto ushqime ose t’i përdorni në sasi të vogël, sa për t’i provuar.
Në rastin e diabetit Tip 2 (i të rriturve), parrezikshmëria e agjërimit është e provuar. Nëse jeni në trajtim me insulinë apo sulfanilure (glibenclamid, daonil,maninil, amaryl) që shkaktojnë rënie të mundeshme të sheqerit (hypoglicemi), duhet të ndryshoni kohën e marrjes ose të modifikoni mjekimin. Preparatet e sulfaniluresë duhet t’i merrni vetëm në momentin e prishjes së agjërimit, në mbrëmje, në iftar dhe jo në syfyr. Ndërsa nëse përdorni metforminë duhet ta merrni atë bashkë më ushqimin aktual. Dozën e mëngjesit në iftar dhe një dozë më vogël para syfyrit. Nëse përdorni mjekim të kombinuar sulfanilure dhe metforminë, merrini të dy medikamentet në iftar dhe metforminën vetëm në syfyr.
Për sa u përket njerëzve me diabet Tip 1(diabeti i te rinjve dh femjeve), ata këshillohen të mos agjërojnë për shkak të rënies së mundshme të sheqerit dhe të problemeve të kontrollit të diabetit. Megjithatë, kur kjo këshillë nuk zbatohet, për të siguruar një ekuilibër të diabetit gjatë agjërimit në rastin e diabetit Tip 1 të stabilizuar, skema ideale është insulinë me veprim të shpejtë para ngrënies dhe insulinë me veprim më të gjatë para gjumit. Kështu insulinë me veprim të shpejtë para syfyrit dhe insulinë me veprim të ndërmjetëm, pas iftarit, para rënies në gjumë. Kur nuk duam ta ndryshojmë regjimin me dy injeksione edhe gjatë Ramazanit, mund të bëhet në syfyr doza e zakonshme e darkës, por vetëm insulinë me veprim të shpejtë, pa e përzier me insulinë intermediare dhe insulinë me veprim të shpejtë + insulinë me veprim intermediar në iftar.
Të njëjtin regjim duhet të përdorin njerëzit me diabet Tip 2 që trajtohen me insulinë.
Duhet theksuar se kur agjërimi shkakton probleme serioze për shëndetin, ai duhet ndaluar me çdo kusht. Duhet të sillni në kujtesë Hadithi (thënien) e profetit Muhamed që në esencë thotë se “organizmi ka të drejtë mbi ju”.
Nuk duhet të agjërohet në asnjë rast:
• Në diabetin Tip 1 të pastabilizuar;
• Në diabetin e kontrolluar keq;
• Në diabetin me komplikime;
• Në ketoacidozë;
• Dhe gratë shtatzëna me diabet.

Dr. Shefqet Deliallisi