Cikloni i fuqishëm Gjenovian dhe fronti i ftohtë drejt Shqiperise dhe Kosoves

Thellë në veri të Evropes kemi ciklonin amë, një masë ajrore gjigande me presion të ulët atmosferik. Ky ciklon me shtrirjen e ndikimit të tij drejt Alpeve dhe Ballkanit ka kushtëzuar krijimin e ciklonit sekondar në Gjirin e Gjenovës në Itali.

I ashtuquajturi Cikloni Gjenovian sjellë më së shpeshti reshje në Ballkan dhe kur trajketorja e tij është drejt territoreve tona atëherë reshjet herë pas here janë të dendura.

Kjo pritet të ndodhë gjatë ditës së nesërme në Ballkan, por ne po flasim për Shqipërinë dhe Kosovën në veçanti.

Cikloni Gjenovian do të shkaktojë stuhi të reja dhe reshje të forta në gati të gjitha shtetet e Ballkanit.

Reshje të fuqishme dhe mjaft intensive priten në Shqipëri, ku vende-vende priten vërshime. Reshje të dendura priten edhe në Mal të Zi, lokalisht edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Vende-vende priten stuhi ose shtrëngata me breshër.

Cikloni do të kalojë përmes territoreve tona drejt Evropes Lindore dhe para kalimit të tij do të kemi erëra nga jugu dhe jugperëndimi. Me kalimin e tij drejt Evropes lindore do të fillojnë të fryjnë erëra veriore të cilat i sjellë fronti i ftohtë ajror.

Gjatë rrugëtimit të ciklonit të fuqishëm nga Italia drejt Evropes lindore atmosfera do të jetë jashtëzakonisht jo-stabile me zhvillime të fuqishme konvektive, me reshje shiu e rrebeshe mjaft të fuqishme lokale me vetëtima dhe bubullimë. Me ardhjen e frontit gjatë natës së ardhshme temperaturat do të shënojnë ulje të ndjeshme. Fronti do të sjellë reshje të reja kalimtare shiu, aty-këtu ndonjë bubullimë dhe erëra kalimthi të fuqishme nga veriu.

Me kalimin e frontit edhe cikloni do të jetë larg dhe gjatë dites së diele reshjet do të pushojnë dhe priten kthjellim i motit, por mbetet mjaft freskët, vende-vende ftohtë sidomos në mëngjes.

Gjatë javës së ardhshme do të vazhdojnë rrymimet e ftohta ajrore nga veriu e verilindja sidomos në zonat kontinentale me reshje të herëpashershme kryesisht të pakta. Në malet e larta priten fjollat e para të borës, ndërsa mot më i mirë pritet në viset mesdhetare, megjithatë jo aq nxehtë./MeteoBallkan