“Cmendet” valuta. Dollari peson rritje ndersa euro shkon si mos me keq

Kriza, shumë pasiguri dhe lëvizjet e bankave qendrore nëpër botë po shkaktojnë stuhi në tregun e këmbimit valutor. Forcimi i vazhdueshëm i dollarit e ka kthyer atë në “euron” e ri në vendin tonë.

Kursi zyrtar i Bankës së Shqipërisë e fikson valutën amerikane në kuotën e 120.12 lekëve, nivel që nuk shihej që prej vitit 2017, para krizës financiare botërore. Në harkun e një jave, rritja ka qenë e madhe me 3.2 pikë kundrejt lekut.

Euro nga ana tjetër, po prek çdo ditë një fund të ri. Sot një euro këmbehet me 116.32 lekë. Fitorja e koalicionit të së djathtës ekstreme në Itali, frika nga recesioni dhe pasiguritë energjetike po i largon investitorët nga monedha e eurozonës.

Por braktisja dhe goditja më drastike është ajo që po pëson paundi britanik. Qeveria e re po planifikon shkurtime në taksa, në një kohë kur borxhi publik po bëhet më i kushtueshëm dhe inflacioni është në nivele rekord. Për rrjedhojë paundi ra në nivel historik kundrejt dollarit, ndërsa në vendin tonë u përkthye në një rënie me 4.7 pikë brenda ditës dhe sot këmbehet për 128.9 lekë, nga 133.6 lekë ditën e premte.

Një shkundje e tillë e tregut valutor do të japë efekte të mëdha në ekonominë tonë, që nga tendenca për t’iu larguar kursimeve në euro, te luhatjet e mëdha të kësteve të kredive në valutë dhe ulja e ndjeshme e fitimit për eksportuesit. Ndërsa përfitojnë ata që kanë një kredi në euro dhe të ardhura në lekë, tregtarët dhe shteti që pjesën më të madhe të borxhit të jashtëm e ka në euro.