Dy deputetë të PS, Lefter Koka dhe Orlando Rakipi nuk do të kenë më mundësi të marrin vizë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Sipas Albanian Post, vendimi pritet të bëhet zyrtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit së shpejti.
Lefter Koka, fitoi mandatin e deputetit më 25 prill në qarkun e Durrësit. Mirëpo, më 1 shtator, vetëm 10 ditë përpara fillimit të punimeve të Kuvendit të ri, Koka dha dorëheqjen nga posti nëpërmjet një statusi në Facebook.
Karriera e tij politike ka nisur që në fillimvitet 2000. Ai ka qenë kryetar i Bashkisë Durrës fillimisht, në mandatin 2003-2007. Më pas, Koka, pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, do të bëhej ministër i Mjedisit në vitin 2013, në Qeverinë e parë të Edi Ramës, i cili bashkoi forcat me Ilir Metën asokohe në një koalicion të gjerë parlamentar.
Në shtator 2017, Koka mori postin e deputetit nën siglën e LSI-së, por këtë herë do të qëndronte në opozitë.
Në zgjedhjet e 25 prillit, pasi nuk pranoi të digjte mandatin e tij me vendim partie në vitin 2019 – duke qëndruar kështu në Parlament – Koka iu bashkua socialistëve, ku mori edhe votat për të qenë pjesë e Parlamentit si deputet i qarkut Durrës.
Lefter Koka është një person, i cili i është afruar politikës nga bota e biznesit, duke zhvilluar një karrierë të shtrirë në dy dekada.
Orlando Rakipi
Orlando Rakipi ishte një emër i padëgjuar në politikën shqiptare deri më 25 prill. Ai ishte vendosur në një pozicion të pafavorshëm në listën e socialistëve në Tiranë, përkatësisht i 30-i.
Mirëpo, Rakipi ishte një ndër dy deputetët, të cilët e thyen herësin e qarkut – në mënyrë surprizë – duke u shpallur deputet.
Mbiemri Rakipi nuk është gjithsesi i padëgjuar për Kuvendin e Shqipërisë. Orlando, është djali i Aqif Rakipit dhe ndalimin për të hyrë në SHBA, do ta marrë pikërisht falë babait të tij.
Do të jetë ish-deputeti i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet – më pas i kaluar tek socialistët – në Elbasan, Aqif Rakipi, i cili do të marrë përcaktimin nga Departamenti i Shtetit.
Për shkak se përcaktime të tilla shtrihen në gjithë familjen, Orlando do të jetë pjesë e listës.
Rakipi u shkarkua nga mandati i tij i deputetit, për shkak të ligjit të dekriminalizmit. Me një vendim të mëpasshëm të Gjykatës Administrative, padia e ngritur nga ai ndaj Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, u rrëzua. Kështu, duke i dhënë të drejtë KQZ-së mbi heqjen e mandati të tij.