Del data kur hidhen në treg kartëmonedhat e reja 500 dhe 2000 lekë/foto

Nga data 17 janar 2022 do të hidhen në treg kartëmonedhat e reja 500 dhe 2000 lekë. Lajmi u bë me dije nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në një deklaratë për mediat.

Gjatë fjalës së tij Sejko tha gjithashtu se rritja e vazhdueshme e çmimeve rrezikon rritjen e inflacionit në vend dhe se çmimet në rritje do të jenë deri të paktën në pjesën e dytë të vitit të ri, ndërsa më pas do të pësojnë reduktime.

“Analiza e informacionit të disponuar tregon vijimin e rikuperimit të aktivitetit ekonomik në vend, përmirësimin e treguesve të tregut të punës, por dhe një rritje të shpejtë të inflacionit gjatë dy muajve të fundit. Rritja e çmimeve të naftës, të energjisë dhe të ushqimeve në tregun botëror, ka filluar të pasqyrohet – në mënyrë direkte dhe indirekte – në çmimet e artikujve të konsumit në vend. Këto goditje janë krijuar nga një zhbalancim i përkohshëm i kërkesës dhe ofertës. Në këto rrethana, efekti i tyre do të jetë i pranishëm dhe gjatë gjysmës së parë të vitit në vazhdim, por – më tej – ai do të vijë drejt reduktimit.”