Nga LIRA GJIKA
Prindër, mësojini fëmijët: Shkolla nuk është dyqan! Nxënësit shkojnë në shkollë dhe prindërit pavarësisht mëson ose jo fëmija, “paguajnë” mësuesin. Kjo mënyrë të sjelluri po gërryen shkollën tonë si një kancer i frikshëm…
Ëndrra dhe qëllimi i njeriut është, të bëhet në jetë dikushi. Kjo gjë realizohet e ndërtohet nëpërmjet njohjes dhe mësimit të njerëzores dhe qytetares.
Për këtë arsye, njeriu ka ndërtuar institucionin shkollë.
Shkolla është institucioni, i cili merret me njeriun, kur është ende i parritur dhe mendimi është i pastrukturuar e i unifikuar me veten dhe fjalën e tij.
Shkolla ka për detyrë të gjejë mënyrën më të efektshme për organizimin e mendimit dhe të artikulimit të tij nëpërmjet të folurit dhe të shkruarit.
Kur arrihet ky nivel njeriu mund të zhvillojë vetinë e tij botëformuese. Këtë detyrë shkolla e realizon nëpërmjet mekanizmave si: shkenca, arti, feja dhe filozofia.
Ajo përgatit njeriun në fazën e parritur për t’u bërë i rrituri i përgjegjshëm, që mendon e vepron jo sipas ngarkesave emocionale, por nëpërmjet të menduarit, përzgjedhjes së fjalës dhe veprimit dhe përgjegjësisë ndaj vetes dhe tjetrit.
Pra, e përgatit dhe e drejton njeriun drejtë vetëdijes.
Kur njeriu ka nevojë për diçka, si: ushqime, sende, veshje apo orendi shtëpiake, ai shkon në dyqan, zgjedh, paguan dhe sendet i përkasin atij.
E njëjta gjë po ndodh dhe me shkollën.
Nxënësit shkojnë në shkollë dhe prindërit pavarësisht mëson ose jo fëmija, “paguajnë” mësuesin. Kjo mënyrë të sjelluri po gërryen shkollën tonë si një kancer i frikshëm.
Është e vërtetë, që prindërit veprojnë në këtë mënyrë për të zbutur mësuesin, që të kenë “kujdes” fëmijën e tyre, por në të njëjtën kohë, fëmijës i kanë “vrarë” shkollën.
Prindërit me këtë veprim i tregojnë fëmijës se shkolla është një “dyqan” si gjithë të tjerët, ku mjafton të paguash dhe sendet janë të tuat.
Madje, edhe më keq, i tregon fëmijës se detyra e tij është ecja nga shtëpia në shkollë dhe të qëndrojë në klasë, të tjerat blihen me para. Mësuesi blihet, diploma blihet, vendi i punës blihet.
Po vetja a blihet?
Të ndihmosh të parriturin të rritet, pra, të bëhet “botëformues” natyrisht që nuk është e lehtë, por a është zgjedhja më e drejtë kjo mënyrë?
A është më e mira?
Po i parrituri çfarë fiton?
Po e ardhmja si do jetë?
Mirash Ivanaj, ministri i Arsimit në qeverinë e Zogut, që realizoi laicizimin e shkollës shqipe, në kohë të tij tha:
“Modernizimi shoqërohet, përballet me një pushtim tjetër, që është varfëria morale”.
Këtë qëllim ka shkolla, të varfërojë moralisht kombin? Mirash Ivanai vazhdon se “kombi ndaj këtij reaksioni përgjigjet me arsim dhe edukim kombëtar”.
Po si realizohet ky edukim?
Duke e kthyer shkollën në “dyqan” ku shiten e blihen mësues, lëndë dhe diploma?
Pse sillemi kështu?
Shijet e jetes do ti gjeni ketu