Detaje te reja.Çfarë e shkaktoi aksidentin me 3 të vdekur dhe 4 të plagosur në ‘Rrugën e Arbërit’?

Detaje të reja janë mësuar lidhur me aksidentin e ndodhur mbrëmjen e sotme në Rrugën e Arbërit. Policia në një njoftim për mediat sqaron se në aksident janë përfshirë dy mjete, të cilat janë përplasur kokë më kokë. Dyshohet se mjeti tip Mercedes Benz 240 ku udhëtonin Kujtim dhe Murat Istrefi me dy bashkëshortet Lulzime dhe Firuze Istrefi, ka dalë nga një rrugë dytësore duke dalë nga fshati Gjoricë ku kishin qenë për vizitë dhe në momentin që kanë dalë në rrugën nacionale i kanë prerë rrugën mjetit tip Mercedez me targa Angleze. Si pasojë e shpejtësisë përplasja ka qenë shumë e fuqishme dhe mjeti ku udhëtonin viktimat është ndarë në 2 pjesë.

Si pasojë e përplasjes së dy mjeteve, kanë humbur jetën 3 persona dhe kanë mbetur të plagosur 4 të tjerë. Mësohet se dy prej viktimave janë identifikuar si Kujtim dhe Murat Istrefi vëllezër, nga Maqellara ndërsa e shoqja e njërit prej viktimave Lulzime Istrefi ka humbur jetën rrugës për në spital .

Po ashtu sqarohet se 4 të plagosurit janë dërguar për në spital dhe po marrin ndihmën mjekësore. Tre nga të plagosurit Mërgim Lazri 25 vjeç, Edison Lazri 20 vjeç, Kadrie Markeçi, ishin në mjetin tip Mercedes me targa Angleze, ndërsa Firuze Istrefi 56 vjeç është bashkëshortja e një prej viktimave që ishte në mjetin tjetër . Policia po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.