Drejtori i “Shefqet Ndroqit” i emocionuar: E tmerrshme, kurrë s’e kam parë spitalin të mbushur si sot. Sa shumë lot dhe vuajtje

Drejtori i pergjithshem i spitalit “Shefqet ndroqi”, doktori Perlat Kapisyzi ka nisur nje mesazh te gjate por shume prekes ndaj e gjithe qytetareve mbi ket situate ne te cilen ndodhemi. Ai ka perfshire perjetimet e mjekeve dhe infermiereve ne shkrimin e tij. Keshtu ai shkruan se ne keto 9 muaj pandemi ata kane qene ne frontin e pare ne perballjen e ketij virusi.

Gjithashtu ai shprehet se kurre me pare nuk e ka pare spitalin te mbushur me kaq shume aparatura, pacientet te cilet luftone per jeten e mes tyre ka shume qe ia dalin e disa qe edhe e humbasin betejen

Postimi i tij iplotë:

“I gjithë personeli, sanitarë , infermierë, mjekë, oksigjenistë, kaldajistë, mekanikë, marangozë ,shoferë, administrata, të gjithë, të gjithë, si kurrë ndonjëherë, për 8 muaj kane punuar me një devotshmëri, disiplinë sa shembullore, aq edhe modeste. Ashtu, të heshtur, pa u ankuar, duke u përballuar çdo minutë me dhimbjen qe të shkakton humbja e jetës… me lotët e lamtumirës për ata pacientë, të cilët i kane mjekuar, ushqyer, përkujdesur, larë e pastruar me ditë të tëra …

Por gjithsecili nga ne, “personeli shëndetësor kovidian “, do te ruajë thellë në shpirt dhe s’ka si t’i harrojë shikimet plot shpresë të pacienteve tanë, luftën, përpjekjet që ata bënë në emër të jetës . Dhe shpresa e tyre na jep më shumë forcë, i mposht dhimbjet që na shkaktonin dhe shkaktojnë kalvari i vuajtjeve të tyre.

Si asnjëherë Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” nuk ka qenë kaq i mbushur, ku dy të tretat e pacientëve janë në gjendje të rëndë dhe shumë të rëndë.. maska oksigjeni.. sonda nazale oksigjeni të kapërthyer me njëra-tjetrën tek i njëjti i sëmurë, fluksometra që pluskojnë vazhdimisht shpresën për jetën.. maska aparatesh BiPap, ventilatorësh dhe respiratorësh të shpërndarë në të gjithë spitalin, krevate me pacientë që shkojnë e vinë nga kabinetet e ekzaminimeve, karroca transporti ushqimesh për pacientët, personel që lëviz pa pushim, si detaret para stuhisë, duke i dhënë atij tashmë edhe formën e një shërbimi intensiv të stërmadh prej 250 të shtruarve…

Veshjet munduese anti kovid na mprehën shikimin, pacientët na shikojnë drejt e në sy na njohin nga “ dritaret e shpirtit” përmes të cilave shkëmbejmë shpresën, kurajën, por kurrsesi vuajtjen apo dhimbjen që diçka s’po shkon mire… Ah, ai shikim, gjithë jetën do të na ndjekë si një fill drite mirënjohjeje! Sy plot lutje , shpresë e gëzim kur ndjehen më mirë.. por tek disa kjo sëmundje e mallkuar fillon dhe turbullon ndriçimin e jetës…kthjelltësinë e mendjes..

Si kurrë ndonjëherë sot pacientët, familjarët e tyre komuniteti, por edhe ne, personeli shëndetësor “kovidian” kemi të domosdoshëm mesazhe që na mbështesin, na japin shpresë, forcë, që na lehtësojnë dhimbjet, vuajtjet, që te na thajnë lotët e ikjes dhe të na bëjnë të burojë vazhdimisht tek ne gëzimi për jetën.

Ky virus i mallkuar ka treguar që deri tani është shumë i shpejtë, tinëzar…në ndonjë rast nuk kemi shpejtësinë e tij…por duke i vënë pengesa mund dhe duhet ta ndalim në emër të jetës.

Personeli shëndetësor në vijën e parë të zjarrit i vetëm nuk mund t’ia dalë… na duhet ndihma e skalioneve të dyta – komunitetit mbështetës, medias, politikës besimplotë tek personeli shëndetësor, duke mbajtur maskat, distancimin fizik dhe bërë jehonë triumfit të jetës mbi vdekjen.

“Kush na bën gjithmonë të jemi me një buzëqeshje,
Kush na bën të ndihemi me prit ne te ardhmen
Kush na bën që të jemi krenarë me jetu

Shpresa është përgjigje” (Amores)

Se bashku shpresa gjallon, rritet, forcohetm shpërndahet kudo me jete të shpëtuara.”/