Cikloni i fuqishëm i cili pritet të largojë verën definitivisht nga Ballkani dhe trojet tona ka filluar tê ndikojë në Slloveni, pjesë të Kroacisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, me vranësura dhe stuhi lokale me bubullima.
Cikloni po vjen nga Evropa veriore dhe pritet të shtrihet me lugun e tij barik drejt jugut të Evropes dhe Gadishullit Ballkanik duke shkaktuar stuhi të fuqishme në Ballkan.
Trojet tona fillimisht do të jenë nën ndikimin e rrymimeve të fuqishme të nxehta ajrore, ngase para ardhjes së fronteve ciklonike do të ketë rritje të ndjeshme të temperaturave të ardhura direkt nga Afrika Veriore. Kreshta termike nga jugoperëndimi do të vazhdojë të na sjellë rrymimet ajrore nga Afrika Veriore me temperaturat e larta deri të shtunën kur vijnë sistemet frontale me stuhi të fuqishme lokale të cilat do të shkaktojnë ulje të temperaturave.
Madje në veri-veriperëndim të Shqipërisë dhe Mal të Zi stuhitë e fuqishme lokale pritet të fillojë ditën e premte. Ndonjë stuhi lokale mund të ndodhë edhe në territorin e Kosovës.
Të shtunën stuhi të fuqishme shiu me rrebeshe intensive do të përfshijnë pjesën më të madhe të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Vende – vende priten procese mjaft të bujshme atmosferike për shkak të temperaturave mjaft të larta para-frontale dhe ardhjes së temperaturave të ulëta pas-frontale.
Stuhi mjaft potente me rrebeshe mjaft intensive priten që nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore.
Reshje dhe rrebeshe të forta priten përgjatë bregdetit Adriatik që nga Sllovenia në Dalmaci të Kroacisë, Hercegovinë, Mal të Zi dhe Shqipëri deri në Detin Jon. Edhe plazhet e Jonit pritet të kenë stuhi të forta kalimtare.
Ky ciklon po quhet me termin ”summerkiller’ (vrasës i verës) nga meteorologët rajonal, por deri atëherë në viset tona kemi të paktën edhe një ditë shumë të nxehtë dhe një të shtune mjaft të bujshme atmosferike./MeteoBallkan