Flet kuksjani që shkoi në maturë me të ëmën: Refuzova çdo ftesë

Një maturant nga Kukësi u kthye në qendër të vëmendjes pak ditë më parë pasi ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij, në mbrëmjen e maturës shkoi i shoqëruar nga e ëma. Në media e rrjete sociale u publikuan foto ku i riu shfaqej duke hyrë në tapetin e kuq me të ëmën përkrah duke u cilësuar kështu si maturanti më i veçantë.

Sabit Tusha dhe nëna e tij Hate Tusha ishin të ftuar pasditen e sotme në “Ftesë në 5”.

“I thashë: ‘Mos po bën ndonjë gabim që po më merr? Të gjithë shkojnë me shoqet!’ Por ai më tha: “Jo, dua të shkoj me zemrën teme”, tregoi nëna e djalit.

Ndërsa Sabiti tregoi se: “Mentaliteti në Kukës nuk është shumë modern dhe nuk preferojnë të bëjnë gjëra si kjo që bëra unë. Të gjithë preferojnë të marrin një partnere të moshës së tyre”.

I riu u shpreh se kishte marrë ftesa nga disa vajza për të shkuar me to në mbrëmjen e maturës, por ai nuk kishte pranuar.

“Kam pëlqime në të gjithë gjimnazin, jam një person shumë i dashur me shoqërinë. Por doja vetë ta bëja hyrjen me nënën. Mora 4 ftesa për mbrëmjen e maturës por i refuzova”, u shpreh Sabiti.