“Hë, se nuk e gjen gjë” Lira Gjika shpjegon pse mamatë shqiptare gabojnë kur veshin fëmijët

Nëpër rrugët e Tiranës shikon nëna të veshura me mëngë të shkurtra sepse kanë vapë, ndërsa fëmijët i veshin me xhupa dhe kapuç, pasi kanë frikë se fëmijët mund të sëmuren. Më mirë të veshur trashë se “nuk i gjen gjë”. Po a është e vërtetë kjo mënyrë të menduari, se po e veshëm trashë fëmijën i shpëton sëmundjeve? Jo kjo nuk është e vërtetë.

Veshja e trashë e bezdis fëmijën dhe është e dëmshme edhe në dimër, e jo më në kohë të ngrohtë. Veshja është një “mjet” i shpikur nga njeriu dhe është një gjetje shumë inteligjente. Njeriu duke patur një trup të zhveshur, jo të mbuluar me gëzof si gjitarët e tjerë, nuk e ka të lehtë të përballojë luhatjen e temperaturës së ambientit, e cila duhet për zhvillimin e proceseve normale fiziologjike dhe jetike. Njeriu me anë të veshjes ndihmon qendrën trunore të temperaturës të funksionojë normalisht pavarësisht stinëve.

Gjithashtu, një veshje jo e përshtatshme, pengon lëkurën në proceset e saj për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e organizmit si fizikisht, po ashtu edhe psiko-emocionalisht. Veshja nuk mund të përdoret me idenë e frikës nga sëmundjet. Veshja duhet të jetë e shëndetshme dhe e rehatshme, në të kundërt, kthehet në një faktor më shumë që ushqen bezdinë dhe frikën e njeriut nga natyra dhe jeta.