Me barkun petë dhe ciklin e rregullt, 19 vjeçarja bëhet nënë: Nuk e dija që isha shtatzënë

E kishte ciklin e rregullt dhe trupin si të një modeleje, por një natë ndodhi e papritura. Një vajzë 19-vjeçare angleze me emrin Charlotte Thomson, krejt papritur nisi të kishte dhimbje stomaku, çka bëri që të shkojë nxitimthi në spital.
Por befas e gjeti veten nënë, me një vajzë të cilën e quajti Molly.

Ngjarja ka ndodhur në Newcastle, ku Charlote si shumë bashkëmoshatare të saj shkonte në festa dhe pinte me shoqërinë dhe as që e mendonte mëmësinë.
“Befas nisi të më dhembte barku, telefonova një taksi dhe shkova në spital. Kur mjeku më tha se duhet të flisja me një gjinekolog, mbeta pa fjalë.

Isha shtatzënë në muajin e nëntë dhe as që e kisha idenë. Barkun e kisha petë dhe vazhdoja të mbaja taka të larta.

Edhe ciklin e kisha të rregullt”, tregon ajo për ‘Metro’, duke rrëfyer historinë e saj.
Vogëlushja erdhi në jetë brenda pak orësh që nga momenti i mbërritjes në spital.
“Edhe gjatë shtatzënisë kisha pirë alkool. Isha e terrorizuar nga ideja që do bëhesha nënë.

Por sapo mora Molly në krahë, u përhumba komplet pas saj”, tregon Charlotte, e cila tashmë është 21 vjeçe, shkruan noa.al.
Ajo shton se shoqëria e saj nuk e besoi se ishte bërë nënë, deri në momentin që postoi fotografitë e së bijës.

Nga ana tjetër, ndonëse të surprizuar, Charlotte shprehet se prindërit e saj e mbështetën.