Supë me qofte të vogla me mish viçi

Supë me Orvollaqe (qofte të vogla me mish viçi)

Gatim tipik i zonës së Përmetit. Në pamje të parë duket paksa e ndërlikuar, por nëse ndiqni me përpikmëri hapat e recetës, do të arrini të realizoni një supë të shkëlqyer.

Përbërësit

400 gr mish i grirë
2 kokrra vezë
170 ml qumësht
100 gr miell
50 gr oriz
8 fije majdanoz
5 lugë gjelle vaj ulliri
50 gr gjalpë
1 kokërr limon
piper i zi
1 lugë gjelle kripë

Përgatitja
1
Në një enë ziejmë orizin, por jo plotësisht (le ta quajmë gjysëmzierje) dhe e lemë të ftohet.
2
Marrim mishin e grirë dhe i hedhim kripë, piper të zi, majdanoz dhe dy të bardhat e vezëve.
3
I përziejmë më dorë dhe i shtojmë orizin gjysëm të zierë dhe masën e përftuar e punojmë sërish me dorë.
4
Nga masa e krijuar bëjmë toptha rrumullakë (qoftet) në madhësinë e një kokrre arre.
5
Në një tenxhere vendosim rreth 1 l ujë dhe e vemë në zjarr. Kur uji të jetë ngrohur shtrydhim një gjysëm limoni, kripën dhe në momentin kur uji arrin vlimin hedhim në të edhe qoftet e vogla (limoni ndihmon për të mos u hapur qoftet). I lemë të ziejnë për 15 minuta.
6
Në një tenxhere tjetër hedhim vajin e ullirit. Shtojmë miellin dhe e trazojmë derisa të marrë ngjyrë të verdhë.
7
Shtojmë në të një bouilon (lëng mishi i koncentruar) dhe lëngun e qofteve që kemi zierë. Në momentin që merr valë hedhim edhe qoftet dhe i lemë të ziejnë për 5 minuta.
8
Ndërkohë kemi zierë qumështin dhe i kemi hequr ajkën në temperaturë 70 gradë. E hedhim atë në tenxhere dhe e përziejmë.
9
Rrahim shpejt e shpejt të verdhat e vezëve duke u shtuar edhe pak lëng nga supa.
10
I hedhim ato në tenxhere dhe i përziejmë për 30 sekonda.
11
Heqim tenxheren nga zjarri dhe supa është gati për t’u shërbyer.
12
Shërbehet duke i hedhur sipër majdanoz dhe gjalpë të skuqur.