Ndahet nga jeta diten e sotme nje nga aktoret me te bukura italiane

0
103

Është ndarë nga jeta në moshën 95-vjeçare ylli italian Gina Lollobrigida. Aktorja, e cila është cilësuar shpesh si gruaja më e bukur në botë, sipas asaj që raportojnë mediat në vend, ndodhej në spital prej kohësh.

Gjatë viteve 1950 dhe ’60, Lollobrigida ishte një nga aktoret më të dëshiruar në botë dhe luajti në një numër të madh filmash evropianë dhe amerikanë krah shumë figurave kryesore të Hollivudit të asaj kohe.

E lindur në vitin 1927 në Subiaco, në malet në lindje të Romës, ajo ishte vajza e një prodhuesi mobiljesh.

Në vitet e saj të adoleshencës Gina, punoi edhe si modele dhe mori pjesë në konkurse bukurie. Në vitin 1947, ajo u rendit e treta në konkursin Miss Italia.

Në formularin e pranimit për atë konkurs, ajo shkroi se kishte një talent për aktrim, por se donte të bënte diçka serioze me aftësitë e saj.

Pas një sërë rolesh në filmat evropianë, duke përfshirë edhe rolin që i siguroi një çmim Bafta në Bread, Love and Dreams ishte interpretimi i saj në vitin 1953 në Beat the Devil përballë Humphrey Bogart që i solli famë ndërkombëtare dhe miliona admirues.

Fama e aktores italiane arriti pikun në fund të viteve 1950 kur ajo luajti role kryesore në Solomon and Sheba, The Hunchback of Notre Dame dhe Beautiful But Dangerous, titulli origjinal i së cilës është “La donna più bella del mondo”.

Lollobrigida la pas të birin Milko dhe nipin Dimitri.